Arbëri

Deputetët e Zvicrës letër presidentit: Përkrahe pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Descriptive Text

Disa deputetë të Parlamentit të Zvicrës kanë kërkuar nga presidenti i këtij shteti, Ignazio Cassis, që të përkrahë Kosovën në kërkesën e saj për pranim në Këshill të Evropës.

Në letrën drejtuar presidentit të shtetit, deputetët si anëtarë të grupit parlamentar të miqësisë Zvicër-Kosovë, kanë kujtuar se Zvicra është ndër shtetet e para që publikisht e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Lexo edhe: 

Gjermania ia hap rrugën Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës

“Më 3 mars, 2022, Parlamenti i Republikës së Kosovës kaloi një rezolutë duke kërkuar nga Qeveria të kërkojë pranimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës. Zvicra ishte ndër shtetet e para që e ka njohur publikisht pavarësinë e Kosovës. dhe Zvicra është anëtare e vlefshme e Këshillit të Evropës që nga viti 1963. Më 29 mars, grupi i miqësisë Zvicër-Kosovë kishte mundësinë të diskutonte çështjen me grupin simotër nga Kosova. Të gjitha palët, si në Qeveri ashtu edhe opozitë, qartë shprehën dëshirën që Zvicra ta përkrahë Kosovën të pranohet”, kanë thënë në letër 14 deputetët nënshkrues.

Si deputetë, këta nënshkrues kanë lutur presidentin zviceran që të marrë parasysh kërkesën e tyre dhe të ofrojë përkrahjen për Kosovën.

“Jemi të bindur se është koha e duhur që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës”, thuhet në letër.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 1949. Aktualisht i ka 47 shtete anëtare me popullatë rreth 820 milionë banorë e buxhet vjetor prej 500 milionë eurosh.

Presioni për aplikime për pranim në organizata ndërkombëtare dhe në NATO është shtuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës dhe Serbia vendosi të mos e sanksionojë sikur shtetet perëndimore.

Në mars, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që i kërkon Qeverisë të ndërmarrë menjëherë veprimet për dorëzim të kërkesës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian, Këshill të Evropës e organizata tjera ndërkombëtare. Po ashtu me rezolutë është kërkuar që shteti t’u drejtohet me ftesë për njohje të pavarësisë pesë shteteve mosnjohëse në Bashkimin Evropian.

Image