Arbëri

Drejtori i ZRRE-së: Për një kohë nuk presim rënie të çmimit të energjisë elektrike

Descriptive Text

Drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Petrit Pepaj, deklaroi se tash për tash nuk do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike, pasi sipas tij, çmimi i energjisë në bursë po ndryshon vazhdimisht.

Ai tha në “60 Minuta” të KTV-së, se kostoja u shkaktua nga kriza globale për energji, e kjo sipas tij, u rrit pas pushtimit rus në Ukrainë.

Pepaj tha se vitin e kaluar, rritja e ngarkesës së rrjetit elektrik u rrit për 13 për qind, duke krijuar papërballueshmëri.

“Në vitin 2021, është regjistruar rritje e ngarkesës prej 13 për qind. Viteve të kaluara, ngarkesa ka qenë rreth 3-4 për qind. Kërkesa është trefishuar. Rregullatori e ka parë mënyrën më të mirë që konsumatori të mos ngrohet me energji elektrike, energjia të përdoret vetëm për nevoja, e jo për ngrohje”, deklaroi ai.

Sipas Pepajt, 70 për qind e energjisë elektrike në Kosovë përdoret për qëllime amvisërie, ndërsa 30 për qind për biznesore.

Kostoja, sipas tij, pritet të ketë tendencë të rritjes, ndërsa tha se 100-milionëshi i ndarë nga Qeveria e Kosovës si subvencionim, ka ndikuar që tarifat e qytetarëve të jenë më të ulëta.

“Duhet ta kujtojmë se ndërhyrja e Qeverisë e ka bërë koston më të përballueshme, me 100 milionë euro. Ajo do të shkojë te çmimi i konsumatorit. Nuk jam i informuar nëse ka filluar të bëhet ndonjë pagesë”, tha tutje zyrtari i ZRRE-së.

Sipas tij, në rast se ka rënie të çmimit në bursë, ZRRE-ja mund ta përshtatë vendosjen e çmimeve.

Ai tha se megavati i energjisë elektrike aktualisht është 239 euro, derisa çmimi më i lartë ishte regjistruar 700 euro për megavat.

“Çmimet në bursë kanë variruar vazhdimisht, mesatarja është 300 euro. Pritjet janë që edhe një kohë nuk besojmë se do të ketë rënie të çmimit në bursë. Parashikimet janë që ato të bien në bazë të situatës dhe çështjes globale. Po futemi në pragun e kohës së nxehtë, njësitet gjeneruese e plotësojnë kërkesën për furnizim”, tha ai.

Për ankesat e qytetarëve në drejtim të ZRRE-së, Pepaj tha se janë pranuar 32 sosh për faturimin e energjisë.