Arbëri

Ministri Latifi kritikohet për mungesë të barnave

Në Komisionin për Mbikëqyrje Financiare po raporton ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, zv.ministrja Dafina Gexha dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Kryetarja e Komisionit, njëherësh deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se gjatë pandemisë, institucionet shëndetësore janë përballur me mungesë të barnave, duke u detyruar pacientët që t’i blejnë vetë.

Ajo tha se gjetjet e Auditorit nuk janë të mira, derisa theksoi se qytetarët janë detyruar t’i blejnë edhe barnat nga lista esenciale.

Ministri Latifi deklaroi se për pandeminë, bota nuk ka qenë e përgatitur dhe nga kjo fatkeqësi globale, sipas tij, janë nxjerr mësime të rëndësishme.

“Në spitalin ku unë kam punuar, bëhen edhe operacionet robotike. Ne nuk kemi qenë të përgatitur, për disa javë të tjera kemi qenë shumë të papërgatitur”, tha ai.

“Ne nuk kemi infermierë sa duhet. Ne nuk kemi anesteziologë. Unë mendoj se performanca e ekipit mjekësor, po flas pa qenë unë (në krye të Ministrisë v.j.), s’mund të marr asnjë kredit për menaxhimi ne mirë. Ne e kemi vdekshmërinë më të vogël në rajon me sistemin më të brishtë shëndetësor. Të gjitha këto mësime janë të shkëlqyeshme. Të gjithë mjekët, laborantët e të tjerët, kanë bërë punë heroike. Është më rëndësi që ne po e auditojmë vetveten sepse duhet bërë analizë”, tha tutje i pari i MSH-së.

Latifi potencoi se vendit i duhen ndryshime dramatike në infrastrukturën shëndetësore.