Arbëri

Oda e Hotelerisë paralajmëron verë të bujshme me shumë dasma

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka paralajmëruar të hënën për një verë të bujshme sa i përket organizimit të dasmave gjatë sezonit të verës.

I ftuar në emisionin SOT në KTV, Sogojeva ka thënë se bazuar në informacionet që ka nga terreni, dasmat veçse janë rezervuar dhe në fillim të muajit maj do të fillojnë të organizohen.

Sogojeva ka kërkuar që ndalimi i shfrytëzimit të 50 për qind të kapaciteteve në hapësirat e brendshme do të duhet të hiqet si vendim nga ekzekutivi, pasi që moslejimi i marrjes pjesë pa dy vaksinat e ka reduktuar numrin e dasmorëve.

“Me masat e fundit lejohet shfrytëzimi i vetëm 50 për qind të kapaciteteve, megjithatë edhe përkundër 50 përqindëshit kanë filluar të mbahen ahengjet e ndryshme. Ne kemi kërkuar që edhe ky 50 përqindësh të hiqet për hapësirat e mbyllura dhe të mos kemi më kufizime, gjithashtu edhe për orar kemi kërkuar që ky lirim të bëhet sa më shpejt. Nuk janë më ato dasmat masovike, nuk ka më dasma me 400 e 500 dasmorë, vetë fakti që në thirrje iu shkruhet që nuk iu lejohet pjesëmarrja pa dy vaksina, tregon se reduktohet numri. Ne jemi zotuar që në sallat e dasmave të mos jetë prezent asnjë person që nuk i ka të dy vaksinat, atëherë edhe na lejohet të kërkojmë që edhe kufizimi prej 50 për qind të kapaciteteve të hiqet”, ka thënë ai.

Sogojeva ka njoftuar se në Kosovë janë rreth 400 salla dasmash, ndërsa rajoni i Prishtinës dhe i Prizrenit kanë më shumë organizime krahasuar me rajonet tjera.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit më tej ka thënë se disa vendime që janë marrë nga Qeveria kanë qenë të anshme dhe pa konsultim me këtë odë. Këto vendime, sipas Sogojevës, gjithnjë kanë rezultuar të gabuara.

“Në këtë sektorë përfshihen rreth 18 mijë subjekte, pra bizneset që marrin pjesë dhe diku 27 mijë punëtorë i kemi aktivë. Meqenëse e kemi një numër më të madh të punëtorëve në këtë veprimtari, ka qenë sektori më i atakuar dhe ka pësuar më së shumti. Kemi qenë më të zëshmit sepse i kemi thënë edhe Qeverisë, asnjë vendim që merret pa konsultim me ne, llogaritet jo i mirë për bizneset dhe vetë Qeverinë, kështu që ne kemi kërkuar gjithnjë të koordinohemi. Ka pasur raste kur Qeveria ka marrë vendime për të mbyllur vendin në vikend dhe rreth 40-50 mijë qytetarë kanë ikur për në Shqipëri, të njëjtit sërish janë kthyer brenda vendit me virus”, ka thënë ai.

A u kanë munguar dasmat qytetarëve?

Një numër i madh i qytetarëve të anketuar nga KTV-ja kanë ndarë të njëjtin mendim me Odën e Hotelerusë sa u përket dasmave.

Sipas tyre, organizimi i dasmave nuk duhet të ndalet, por se duhet të respektohen masat që janë vendosur.

Edhe për qytetarët, pritjet janë që këtë verë të ketë me shumë dasma në krahasim me vitin e kaluar.