Kërcënohet me jetë nga kunati i Mirije Berishës gazetari i KTV-së

12 korrik 2017 19:07

Është kërcënuar me jetë gazetari i KTV-së, Kushtrim Kadriu nga kunati i Mirije Berishës, Miftar Berisha, raporton KTV.

Pas raportimit të Kohavisionit se Mirije Berisha ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore të Suharekës ndaj Miftar Berishës dhe 7 personave të tjerë, ai ka kërcënuar gazetarin se nëse raporton sërish për këtë rast, ai duhet ta ruajë kokën e vet. Kërcënimi nga Miftar Berisha është paraqitur në Polici.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se rastin e kanosjes ndaj gazetarit, njësia e hetimeve është duke e hetuar në konsultim me Prokurorin e Shtetit.

KTV-ja e ka kontaktuar, nëpërmjet telefonit, Miftar Berishën, i cili jeton në Francë.

Ai ka thënë se nuk do të lejojë që sërish të etiketohet emri i tij, pavarësisht se padinë ndaj tij dhe 7 anëtarëve të tjerë të familjes e kishte bërë kunata e tij, Mirije Berisha, përmes avokatit Naim Qelaj.

Ndërsa, vëllai i Miftar Berishës, Eqremi, i cili jeton në Suharekë, ka thënë se përgjegjësinë për këto deklarata e merr vetë ai, duke premtuar se ai do të kërkojë falje publike në seancën që do të mbahet më 18 shtator.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme