“M'u dogj shtëpia vetëm pse e kisha mbiemrin Prekazi”

“M'u dogj shtëpia vetëm pse e kisha mbiemrin Prekazi”

12 korrik 2017 14:49

Reviste serbe “Nedeljnik” ka zhvilluar një bisedë me ish-futbollistin e njohur shqiptar, Xhevat Prekazi, i cili tashmë jeton në Serbi.

Më poshtë ju sjellim të plotë bisedën e përgatitur nga Koha.net:

Futbolli në Kosovë ka shkuar një hap para drejt arritjes së “pavarësisë” në raport me autoritetet në Prishtinë, reprezentacioni luan në kualifikime, dhe klubet kanë nisur të luajnë ndeshje evropiane, ndonëse ka disa klube që s’mund të sigurojnë licencën...

Kjo sigurisht mirëpritet nga i pari i Federatës, Fadil Vokrri, një prej futbollistëve të Kosovës i cili lavdinë e ka arritur në Beograd, ndërsa tani karrierën e zyrtarit po e ndërton matanë urës së Ibrit, e cila ndan pjesën jugore dhe atë veriore të Mitrovicës, urë e cila pas bombardimeve të vitit 1999 është bërë kufi etnik mes serbëve dhe shqiptarëve.

Një tjetër ish-futbollist i Partizanit fsheh një histori tjetër. Xhevat Prekazi, i cili vjen pikërisht nga Mitrovica (ku këtë verë është luajtur ndeshja e parë për kualifikime për Ligë të Kampionëve). Ai ka mbetur në Beograd. Ndërsa në Mitrovicë nuk ka qenë për dy dekada. Në qytetin ky është lindur dhe në qytetin ku ia kanë djegur shtëpinë vetëm pse ka mbiemrin Prekazi. Për këtë ai flet rrallë, por ai këto tema i preku për Nedeljnik-un.

“Kanë ardhur në qytet kush e di se çfarë njerëzish. S’kam qenë atje që nga viti 1997. Kur sot dikush më thotë Mitrovica jugore apo veriore, unë hesht. Nuk dua të flas për të. Nuk di unë për dy Mitrovica. Ne kemi shkuar ose matanë Ibrit ose matanë urës. Asnjëherë s’kam shkuar në Mitrovicën veriore. Pikërisht atje ku ata e quajnë Veri, përpara Shkollës Teknike, ka qenë një terren, për ne atëherë superior, ku janë zhvilluar turnirët më të mirë. Krejt çfarë ka qenë e bukur, është zhdukur. Këdo që e kam pyetur, pavarësisht se kush apo çka është, të gjithë janë të dëshpëruar për atë që i ka ndodhur qytetit tonë. Ne, mitrovicasit, s’kemi pranuar asnjë qytet tjetër. E kemi pasur Ibrin, lumin më të mirë në Serbi?! (sqarim nga Koha.net: nuk dihet nëse e ka thënë këtë vet Prekazi apo është ndryshuar nga redaksia e revistës serbe), ndoshta edhe në Jugosllavi. E kemi pasur KF Trepçën, ekip i cili përpos Boracit nga Çaçaku, ka qenë ekipi i dytë më i vjetër i ligës së dytë në Jugosllavi”, na tha Prekazi me një frymë.

Ai ka folur edhe për atë se përse nuk ka shkuar për kaq shumë vite atje, në Mitrovicë.

“Asgjë më s’më tërheq. Prindërit më kanë vdekur. Vëllezërit dhe motrat janë shpërngulur. Shumica e miqve të mi nuk janë atje. Më s’e kam as shtëpinë”, thotë ai. “Po, e kanë djegur”.

“S’më intereson kush as pse. Ngado ka budallenj, në të gjitha anët. Nënën time, vëllanë me bashkëshorten e tij e me tre fëmijë në atë çmenduri në dy raste i kanë shpëtuar njerëzit që i kanë pyetur: ‘Çfarë e ke Prekin?’, dhe i kanë shpëtuar. Kudo ka njerëz edhe njerëz të mirë. Miku im më i mirë më ka vdekur. S’kam mundur të shkoj në varrim. Por, çka të bësh, jeta vazhdon”, ka thënë Prekazi.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme