Arbëri

Haradinaj pret përgjigje me shkrim nga VV e LAA dhe biseda me deputetë individualisht

I nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, do të nisë bisedime edhe me deputetë individualisht, tani pas refuzimit për takim që i ka bërë Vetëvendosje dhe LDK-AKR-Alternativa, raporton KTV.

Avni Arifi i AAK-së ka thënë se janë ende duke pritur përgjigje me shkrim nga partitë shqiptare, për shkak se ftesat kanë qenë në këtë formë.

Por, nëse ka refuzim edhe me shkrim, ai ka thënë se do të nisin biseda me deputetë individualisht.

Haradinaj gjatë ditës ka zhvilluar takime vetëm me komunitetet joserbe, që kanë pranuar të takohen me të.

Listës Serbe pritet që ftesa t’i dërgohet në ditët në vazhdim.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë se partia e tij është e gatshme të diskutojë me të gjitha partitë politike në Kosovë për krijimin e institucioneve.

Vetëvendosje, LDK-ja dhe AKR-ja e kanë refuzuar ftesën e Ramush Haradinajt për takim rreth mundësisë së krijimit të koalicioneve dhe Qeverisë.

Ata kanë thënë se takohen me të vetëm si kryetar i AAK-së dhe nëse largohet nga PAN-i.

Këtë e ka hedhur poshtë Haradinaj, duke thënë se kjo do të ishte një hap mbrapa. Ndërkohë, ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka vazhduar të takojë përfaqësues të partive politike.

Pas takimit me Haradinajn, të martën ai ka shkuar në vizitë te lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli.

Shkurt pas takimit, ka thënë se do t’i takojë të gjithë përfaqësuesit politikë. Presidenti i Kosovës, përgjegjës për të thirrur seancën e parë të Kuvendit, nuk ka qartësuar se kur do ta bëjë këtë.

“Presidenti i Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi, do të respektojë të gjitha afatet ligjore dhe kushtetuese gjatë procesit të krijimit të institucioneve te reja, te dala nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit“, është thënë nga Zyra për Informim e Presidencës

Sipas Kushtetutës, Presidenti e thërret seancën konstituive brenda 30 ditëve që nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Ky rezultat u certifikua nga KQZ-ja më 8 korrik.