Arbëri

2017 shënon ngritje të çmimeve në produkte ushqimore dhe energji elektrike

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin qershor të vitit 2017.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.3% në muajin qershor 2017, krahasuar me muajin maj 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (5.6%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (17.9%)-(ngritje e çmimit të energjisë elektrike) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9% në IHÇK-it.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumësht, djath dhe vezë (-2.2%); perime (-8.2%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-0.6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.6%) në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin qershor 2017 me muajin qershor 2016 ishte 1.9%.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.9% në muajin qershor 2017, krahasuar me muajin qershor 2016. Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: mish (1.2%); qumësht, djath dhe vezë (1.4%); pemë (12.4%); sheqer dhe ëmbëlsira (6.2%); kafe, çaj dhe kakao (9.4%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.3%); duhan (5.6%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (16.3%) - (ngritje e çmimit të energjisë elektrike për 25.4%, krahasuar me tarifat verore të muajt qershor të vitit 2016); përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.8%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.1% në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: blerje e automjeteve (-1.7%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6.8%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2%) në IHÇK.

Shpjegim për shfrytëzuesit e të dhënave

Zbatimi i tarifave të reja me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nga 1 prilli i vitit 2017 të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës të datës 31 mars 2017 është shkaku i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike në çdo muaj të kalkuluara nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KES/CO).