Hahn flet për “Shqipërinë e Madhe” Foto: Koha / arkiv

Hahn flet për “Shqipërinë e Madhe”

11 korrik 2017 10:48

Komisioneri për Fqinjësinë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, hedh dritë mbi një sërë çështjesh të aktualitetit politik në vend, ku tregon perspektivën që ka Shqipëria për t’u anëtarësuar në BE.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Tema”, Hahn jep vlerësimin e tij për hapat e hedhura nga qeverisja “Rama”, si dhe apelon ndaj palëve politike që të rrisin bashkëpunimin në mënyrë që të arrihen rezultate të prekshme për qytetarët.

Ai rekomandon se duhet të vijojë më tej puna për të përmbushur pesë prioritetet kryesore dhe veçanërisht lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.

I pyetur lidhur me paralajmërimin për “bashkim kombëtar” në rast se BE mbyll dyert për Shqipërinë dhe Kosovën, Hahn gjykon se ky diskutim është i rrezikshëm dhe i papranueshëm, duke shtuar se duhet parë e ardhmja e të gjithë rajonit.

Ndërkohë, Komisioneri rendit edhe disa këshilla për ligjvënësit në Shqipëri dhe Kosovë, mes të cilave, sipas tij, mund të garantohet progresi i vendeve drejt familjes evropiane.

Më tej ai ka një shpjegim edhe për alarmin e ngritur nga disa aktorë politik për ndikimin rus në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zoti Hahn, çfarë mendimi keni për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri? A janë përmbushur pritshmëritë tuaja apo prisni më shumë nga politika shqiptare?

Unë përshëndes faktin që zgjedhjet u zhvilluan pa u bojkotuar nga partitë politike. Bashkëpunimi ndërpartiak do të jetë thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit. Gjithashtu, përshëndes mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë paqësore dhe pa incidente të mëdha. Autoritetet shqiptare tani do të duhet të punojnë ne lidhje me vëzhgimet e dokumentuara nga OSBE – ODIHR, në veçanti për politizimin e tepërt në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore.

Tani ne presim një qeveri të vendosur për ta çuar vendin përpara në rrugën e integrimit drejt BE-së, nëpërmjet reformave te vazhdueshme. Qeveria e re duhet përqendrohet veçanërisht në zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, i cili është vendimtar në drejtimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bazuar në ecurinë e qeverisë, zgjedhjet dhe fillimin e implementimit të reformës në drejtësi, sipas gjykimit tuaj, cilat janë shanset që Bashkimi Evropian të hapë negociatat e anëtarësimit në dhjetor?

Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave duke u bazuar në progresin e besueshëm dhe të ndjeshëm të implementimit të reformës në drejtësi, veçanërisht në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mund të themi se me ngritjen e organeve të verifikimit është arritur shumë progres. Presim që në vjeshtë këto organe të fillojnë punën. Rekomandimi ynë do të varet nga rezultatet e arritura. Gjithashtu, është po aq e rëndësishme që puna për pesë prioritetet kryesore të vazhdojë, veçanërisht lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.

Zgjedhjet tashmë kanë përfunduar, por ka një numër reformash që kërkojnë bashkëpunimin e së majtës dhe të djathtës. Si do të ndikonte në progresin e vendit një koalicion midis dy forcave më të mëdha politike në Shqipëri?

Një qeveri e përgjegjshme që është e angazhuar për reforma dhe një opozitë konstruktive janë vendimtare. Politikat bllokuese dhe politikat partiake jo largpamëse, do të ishin të dëmshme për procesin demokratik. Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të arritur rezultate të ndjeshme për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Presidenti i Kosovës Thaçi, kandidati për kryeministër Kurti si dhe kryeministri shqiptar Rama kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre mbi një bashkim të mundshëm kombëtar nëse BE nuk hap dyert për të dy vendet. Si e vlerësoni këtë deklaratë?

Para së gjithash, ekziston një perspektivë e pakontestuar që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët në rajon në mënyrë bilaterale për rrugën e tyre evropiane.

Siç e kemi stërthënë unë dhe përfaqësuesja e lartë, zonja Mogherini, deklarata të cilat mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe e ekspozojnë rajonin ndaj rreziqeve të retorikës përshkallëzuese dhe tensioneve etnike. Ky apel vlen për të gjithë aktorët kryesorë te politikës në rajon, të cilët me veprimet dhe deklaratat e tyre duhet të tregojnë përgjegjësi për stabilitetin e të gjithë rajonit. Bashkimi Evropian pret që të gjithë udhëheqësit e rajonit të vazhdojnë ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive, bashkëpunuese dhe të intensifikojnë punën me programet përkatëse të reformave për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Samiti në Trieste tregon rolin kyç të bashkëpunimit dhe ndërlidhjes së suksesshme rajonale për përgatitjen e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

A është i mundur një bashkim midis dy vendeve nëse të dy qeveritë shprehin vullnetin e tyre të lirë në këtë drejtim?

Ky diskutim është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Mendoj se është e rëndësishme të shikohet perspektiva e të gjithë rajonit. E gjithë energjia dhe fokusi duhet të drejtohen tek axhenda e reformave të lidhura me tri shtyllat e strategjisë së zgjerimit: sundimi i ligjit, qeverisja ekonomike dhe reforma e administratës publike. Kjo do të përmirësojë kushtet e jetës së qytetarëve.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme