Arbëri

Vetëvendosje nuk e voton Veselin për kryetar Kuvendi, po e mendon kundërshtimin

Lëvizja Vetëvendosje nuk e do Kadri Veselin në krye të Kuvendit edhe për një mandat. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi thotë se kreu i PDK-së, Kadri Veseli është njeriu më i papërshtatshëm dhe jo adekuat për të qenë në krye të institucionit më të lartë përfaqësues.

Ajo në një deklaratë për KosovaPress, theksoi se Veselin nuk mund ta votojnë për disa arsye për të udhëhequr me Kuvendin.

“Sjellja e tij vulgare në raport me deputeten Albulena Haxhiu, pastaj deklaratat dhe paralajmërimet për vetëvrasje, pastaj futja e policisë në Kuvend për të ushtruar dhunë ndaj deputetëve të opozitës, e bënë personin më joadekuat, më të papranueshëm dhe më të papërshtatshëm për këtë pozitë. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje, jo vetëm që nuk do ta votojë, por do të jemi kundër vazhdimit të mandatit të tij ose rizgjedhjes së tij në pozitën e kryetarit të Parlamentit. Për faktin edhe se, kohët e fundit para fillimit zyrtar të fushatës ai braktisi seancat plenare dhe bëri fushatë individuale për garën, të cilën e humbi si subjekt politik”, tha Kadaj-Bujupi.

Deputetja Kadaj-Bujupi shton se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim se si do ta kundërshtojnë Veselin për të qenë kryetar i Kuvendit, por thekson se në këtë legjislaturë janë 32 deputetë të Vetëvendosjes dhe të gjitha veprimet, puna dhe angazhimet do të jenë jashtëzakonisht të mëdha dhe se do të angazhohen që roli i tyre në Kuvend të sjell me shumë demokraci dhe mirësi për këtë vend, i cili për këto dekada ka vuajtur nga njerëz si Kadri Veseli.

Ish deputetja e AAK-së, ka folur edhe për ish-shefin e saj Ramush Haradinaj, për të cilin ka thënë se subjekti i saj i ri, Vetëvendosje do të takohet me të vetëm nëse braktisë PDK-në.

“Zotëri Ymeri është në SHBA, por si kryetar i LVV-së sot ka bërë të ditur që në fakt e vetmja mundësi për çfarëdo lloj takimi, është që fillimisht zotëri Haradinaj ta braktisë klanin Pronto dhe ndahet nga ky koalicion dhe rrjedhimisht ne si subjekti fitues më i madhi në vend, jemi të gatshëm që të bisedojmë për gjithçka që do të ishte në të mirën e vendit”, theksoi ajo.

Kadaj-Bujupi është shprehur kategorike se me PDK-në asnjëherë nuk do të hyjnë në qeveri, sepse ndryshimi për të cilin kanë votuar qytetarët, nuk vije nëse ata janë në qeverisje.

“PAN-i është koncept i klanit Pronto dhe Lëvizja Vetëvendosje, ashtu siç i kemi premtuar qytetarët e Kosovës dhe ashtu siç i kemi marr votat, sepse dihet që qytetarët kanë votuar për ndryshim, për ç’kapje të shtetit, për sundim të ligjit dhe nuk mund të ndodh nëse klani Pronto nuk shkon në opozitë”, u shpreh Kadaj-Bujupi.

E pyetur nëse Haradinaj do të arrijë të bëjë qeverinë e re, Kadaj-Bujupi tha se Kosova nuk duhet të mbahet peng i apetiteve të individëve, duke theksuar se sovrani ka folur më 11 qershor dhe ka treguar që VV është e vetmja alternativë që mund të bëjë ndryshimin kaq të nevojshëm, por vetëm me Albin Kurtin kryeministër.

Kujtojmë që LAA, sot ka folur përmes të nominuarit për kryeministër Avdullah Hoti, i cili ka thënë se koalicioni ende nuk ka vendim të prerë nëse do ta votonte Veselin për kryetar të Kuvendit.

Nëse dy herë radhazi legjislatura e re dështon ta zgjedh kryetarin e Kuvendit ajo duhet të shpërndahet dhe rrjedhimisht vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Koalicioni parazgjedhor që ka fituar votat bashkë me komunitetet joshqiptare bëjnë 59 vota, të pamjaftueshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.