Arbëri

Kalkuloni vetë se sa do t’ju rritet fatura e rrymës

Rreth 200 mijë familje do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, e ky shtrenjtim pritet të jetë për 70 për qind.

Ekonomitë familjare që do të preken nga shtrenjtimi i rrymës janë ato që shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë në muaj, pasi është vendosur që të kthehen bllok-tarifat nga 1 shkurti si përgjigje për shtrenjtimin e importit të rrymës.

Në fakt, fatura, sipas kalkulatorit të ri për matjen e shpenzimit të rrymës, pritet të vijë për rreth 140 për qind më e lartë, por rreth 70 për qind e kësaj rritje do të subvencionohet nga shteti, e rreth 70 për qind do t’i ngarkohet konsumatorit.

Për shembull nëse një konsumator muajin e shkuar ka paguar 100 euro, duke shpenzuar 1100 kilovatë me tarifë të lartë (7.39 centë) dhe 600 kilovatë me tarifë të ulët (2.15 centë), atëherë bazuar në çmimet e reja, që do të nisin të aplikohen prej 1 shkurtit, do të paguajë 170 euro nëse harxhon të njëjtën sasi të rrymës. Në të vërtetë, fatura do t’i vijë 239 euro, por 69 euro do të subvencionohen nga shteti.

Sipas vendimit, nga 1 shkurti çmimi i një kilovati për familjet që shpenzojnë mbi 600 kilovatë në muaj do të rritet nga 7.36 centë në 21 centë (tarifa e lartë) dhe nga 3.15 centë në 8.99 centë (tarifa e ulët).

KLIKO KËTU për të parë se sa do t’ju vijë rryma pas shtrenjtimit. Futni shpenzimet e muajit të kaluar, të tarifës së lartë (A1) dhe të tarifës së ulët (A2) dhe do të shihni diferencën.