Arbëri

MD-ja thotë se u zu në befasi nga konkursi për Kryeprokuror

Ministria e Drejtësisë ka thënë se është zënë në befasi nga njoftimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës për hapjen e konkursit për Kryeprokuror të ri të Shtetit, pasi atij aktual Aleksandër Lumezi i përfundon mandati në muajin prill.

Zëvendësministrja Nita Shala ka thënë në emisionin “Desku” të KTV-së se befasia është krijuar për shkak se dihet se tashmë është duke u bërë gati ligji i ri për Kryeprokurorin e Shtetit dhe atë për KPK-në.

“Hapja e konkursit, paçka se mund të jetë në linjë me legjislacionin në fuqi, na ka kapur në befasi edhe ne duke u nisur nga fakti se bashkë me KPK-në kemi marrë një nismë të reformimit të KPK-së. Është nismë e MD-së që synon të rishikojë si ligjin për Kryeprokurorin e Shtetit, por edhe atë për KPK-në”, ka thënë ajo duke shtuar se me ligjin në fuqi i vetmi kriter që duhet plotësuar një prokuror për t’u bërë kryeprokuror është përvoja tetëvjeçare.

Ajo ka thënë se sistemi prokurorial në vend ka çalime dhe se këto kishin bërë që MD-ja të niste reformën.

Shala ka thënë se MD-ja s’është vonuar me ligjin, por për një gjë të tillë s’pajtohen drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, dhe gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj.

Sipas Miftarajt, Qeveria e ka ditur se kur i përfundon mandati Lumezit dhe se kur duhet hapur konkursi. Prandaj, ai ka thënë se është dashur të bëhet më shpejt ligji dhe që KPK-ja të “vihej para aktit të kryer”

Në anën tjetër, Ramaj ka thënë se vetë KPK-ja nëpërmjet komunikatave e kishte paralajmëruar shpalljen e konkursit për Kryeprokuror. Edhe ajo ka konsideruar se ka pasur vonesa në hartim të ligjit.

Zëvendësministrja ka thënë se MD-ja “s’është vonuar, por ka qenë e kujdesshme”.

Të enjten, edhe Ambasada britanike në Kosovë ka shprehur befasinë që Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hapur garën për Kryeprokuror të Shtetit pa u kthyer përgjigje nëse e pranojnë ose jo mbështetjen e kësaj ambasade.


Shala: Përfaqësimi jo i balancuar në KPK sjell dy probleme

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka thënë se përfaqësimi jo i balancuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës sjell probleme për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe krijon probleme në funksionim, duke cenuar edhe punët e tjera të Këshillit.

Sipas Shalës, KPK-ja është mbingarkuar me prokurorë dhe aty duhet prezenca edhe e joprokurorëve.

“Përfaqësimi jo i balancuar në KPK jo vetëm sjellë probleme për zgjedhjen e Kryeprokurorit, por në anën tjetër krijon probleme në funksionim dhe cenon edhe punët e tjera të Këshillit, që ka të bëjë me monitorimin e të gjithë prokurorëve. Ky mbingarkim me prokurorë dhe jo prezencën e joprokurorëve është një disbalanc i madh. Synimi është që të kemi sistem prokurorial efikas dhe të drejtë. Jo vetëm përbërja, por edhe kushtet që i parasheh ligji për kryeprokurorin e shtetit, duhen ndryshime. Kriteri i vetëm është që të ketë tetë vite përvojë. Duhet të përfshihet patjetër edhe kriteri menaxherial, pasi Kryeprokurori duhet të jetë edhe menaxher për të çuar përpara punën e prokurorëve. Fokusi duhet të jetë luftimi i korrupsionit dhe veprave të tjera penale”, ka thënë Shala në “DESKU” të KTV-së.

Zëvendësministrja e Drejtësisë tutje deklaroi për këtë konkurs të KPK-së u shpreh kundër edhe Ambasada britanike në Kosovës, që u shpreh e zhgënjyer me mospërgjigjen e KPK-së lidhur me kërkesën për ta monitoruar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri.