Arbëri

BE-ja e do RTK-në jashtë buxhetit shtetëror

Zyra e Bashkimit Evropian ka dalë kundër propozimit të Komisionit për administratë publike, qeverisje lokale dhe media, që Televizioni publik përveç parapagimit të financohet edhe nga Qeveria me 0.4 për qind të buxhetit të shtetit, shkruan sot Koha Ditore .

Përfaqësuesja nga kjo zyrë, Suzana Bytyqi, në dëgjimin publik, që u mbajt të mërkurën lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për RTK-në, ka thënë se BE-ja konsideron se RTK-ja nuk duhet të ketë financim nga shteti, të paktën jo në atë masë sa të përbëjë pjesën dërmuese të RTK-së.

“Sipas disa llogaritjeve tona, kjo do të përbënte pjesën dërmuese 0.4 për qind”, ka thënë ajo. Bytyqi ka thënë se nuk i shohin të nevojshme ndryshimet e mëdha të Ligjit të hartuar në vitin 2012, me përjashtim të atyre neneve që kanë qenë të përkohshme që kanë të bëjnë me financimin, pronën e RTK-së dhe marketingun.

Ajo ka thënë se ndonëse kanë kërkuar nga Komisioni që të dërgojë draftin e ligjit, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Çështja e financimit të RTK-së vazhdon të jetë pika më problematike, për të cilën Komisioni nuk ka arritur për më shumë se një vit e gjysmë t’i harmonizojë qëndrimet. Kjo problematikë u vu në pah edhe në dëgjimin publik. Shqetësimet në këtë medium i ka paraqitur edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Fadil Hoxha, i cili ka kërkuar që të zgjidhet çështja e financimit dhe e pronës së RTK-së.

(Artikullin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.