Arbëri

Që nga e diela dhjetëra tërmete goditën Greqinë – njëri u ndie edhe në Kosovë

Descriptive Text

Që nga e diela, një varg tërmetesh kanë ndodhur në Greqi, duke prekur edhe zonat përreth si Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë. Tërmeti me shkallën më të lartë u regjistrua rreth orës 22:00, me 5.8 të Rihterit, duke shkaktuar dëme materiale në Manastir të Maqedonisë së V. dhe në Shqipëri. Banorët kanë publikuar pamje të mureve të dëmtuara. Një pjesë e qytetarëve, siç raportohet, kanë dalë nga shtëpitë në momentin kur janë dëgjuar dridhjet.

Tërmete kanë ndodhur edhe pas mesnatës mirëpo me shkallë më të ulëta si 3.8, 2.5, 3.6, e të tjera të Rihterit.

Image

Një nga tërmetet e mbrëmshme është dëgjuar edhe në Kosovë. KOHA ka raportuar për këto dridhje, derisa janë publikuar edhe pamje nga momenti i dridhjes.

Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmologjik i Kosovës ka deklaruar se Greqia është zonë me aktivitet të lartë sizmik.

Ai shkroi në Facebook pas tërmetit që ndodhi në Greqi me 5.8 shkallë të Rihterit, dridhjet e të cilit u dëgjuan edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bosnje, Bullgari e Mal të Zi.

“Greqia me aktivitet sizmik të lart, nuk ka qetësi kjo zonë. Greqia e vendosur gjeografikisht në pllakën mbizotëruese të subduksionit të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të Euro-Aziatikes përgjatë këtij kontakti, është një nga zonat më aktive sizmike në Mesdheun lindor”, shkroi Mustafa.

Autoritetet në Shqipëri kanë deklaruar se janë të gatshme për të reaguar në rast nevoje.