Arbëri

Rama ironizon me PD-në: Jeta është e vështirë, budallenjtë e vështirësojnë edhe më shumë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një thumbimi, ka reaguar për situatën e krijuar sot në Tiranë, nga protestat e zhvilluara para selisë së Partisë Demokratike.

Vetëm pas përfundimit të këtyre protestave, ku është përdorur edhe dhuna e forca, Rama ironizoi me situatën nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai e citoi aktorin amerikan, John Wayne, duke thënë se “jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë atë edhe më shumë”, duke nënkuptuar se këto fjalë janë shkruar për prijësin e kësaj proteste të sotme, Sali Berishën.

 

Berisha nëpërmjet disa adresimeve për media që bëri sot gjatë protestës, tha se objektivi i kësaj proteste ishte që të hapen dyert e selisë së PD-së, të cilën për disa vjet me radhë e ka drejtuar vetë ai.

Rreth orës 14:30, ai e shpalli të mbyllur për sot këtë protestë, megjithatë ka paralajmëruar se përpjekjet e tij dhe të përkrahësve për të marrë nën udhëheqje PD-në s’do të ndalen.