Arbëri

Sindikata e Policisë së Kosovës: Po fajësohemi pa arsye

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar duke thënë se po fajësohet pa arsye në shumë raste, duke specifikuar në këtë rast, në vrasjen së fundmi të 48-vjeçares nga bashkëshorti në fshatin Llaushë të Skenderajt.

“Lidhur me rastin e vrasjes së fundit në Skenderaj por edhe për disa raste të tjera Policia e Kosovës është duke u fajësuar pa arsye. Policia i përgjigjet çdo thirrje që paraqitet nga qytetarët dhe çdo rast e trajton me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Të gjitha veprimet hetimore, policia, i kryen sipas urdhrave të prokurorit, prandaj të gjithë ata që duan ta fajësojnë Policinë fillimisht duhet t’i din kompetencat e Policisë, Prokurorisë dhe të Gjykatës. Policia ka të drejtë ta mbajë të ndaluar një person vetëm gjashtë orë, kurse për ndalim prej 48 orëve vendos Prokurori dhe për caktim paraburgimi vendos gjyqtari i procedurës paraprake, prandaj Policia është vetëm ekzekutuese e këtyre vendimeve”, thuhet në reagim.

Kjo sindikatë ka kërkuar nga institucionet policore po ashtu që të mos fajësojnë Policinë për raste të tilla, duke thënë se ajo vetëm zbaton vendimet e Gjykatës dhe Prokurorisë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet Qeveritare dhe jo qeveritare që mos të fajësojnë Policinë pa arsye sepse po njollosemi dhe po dëmtohemi edhe si institucion edhe individualisht vetëm e vetëm që jemi të parët që i përgjigjemi çdo rasti duke rrezikuar edhe jetën”, vazhdon reagimi.

Të mërkurën, në fshatin Llaushë të Skenderajt, një grua 48-vjeçare është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti.