Arbëri

Krasniqi: S'ka hapësirë për Asociacion njëetnik

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaron prerazi se nuk ka asnjë hapësirë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai shton se nuk mund të ketë etnitete njëetnike në një shtet multietnik si Kosova.

Krasniqi thotë se për këtë merret për bazë edhe opinion i komuniteteve të tjera, të cilat jetojnë në Kosovë.

“Ne kemi përgatitur ligjin në atë formë siç është paraparë në nismat ligjore, është e vetëdijshme se ky ligj është ndër ligjet më vitale dhe kërkon dy të tretën në Kuvendin e Kosovës dhe unë jam optimist se do të votohet, mirëpo kjo mbetet të shihet në Kuvend. Duhet të kuptohet një herë e mirë se Kosova është ndërtuar si shtet i gjithë qytetarëve në frymën multientike. Në një shtet multietnik nuk ka hapësirë për Asociacion dhe etnitete njëetnike. Kjo është edhe një herë e rëndësishme kur merret për bazë edhe opinioni i komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë”, deklaroi Krasniqi për KSP.

Duke shpalosur prioritetet e tij, ministri Krasniqi iu premton bashkëpunim më të madh kryetarëve të komunave.

“Bashkëpunimi është i mirë, por gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Tash si ministër, por edhe si komuna besoj se do të kemi mundësi të takohemi më shumë edhe të diskutojmë më shumë. Ne kemi pas takime të rregullt edhe në kuadër të programeve tona, komunikimi është në baza ditore, administrata jonë monitoron procesin në nivelin lokal është në mbështetje të komunave. Unë kryetarëve të komunave dhe të gjithë qytetarëve banorë të komunave, iu premtoj se do të angazhohemi si qeveri që të ofrojmë partneritet dhe bashkëpunim më të mirë me kryetarët dhe të zgjedhurit e tyre në mënyrë që të zhvillojmë më mirë demokracinë lokale dhe zhvillimin lokal”, thotë ai.

Krahas këtyre, ministri Krasniqi kërkon që në kuadër të festave kombëtare të përfshihet edhe Dita memoriale e Komunitetit Egjiptian më 24 qershor.

“Nuk po flasim për diçka që të jetë ashtu mundësi me përzgjedh, por po flasim për një obligim kushtetues që e ka shteti i Kosovës në raport me qytetarët e secilit grup etnik. Ne si komunitet nuk e gëzojmë këtë të drejtë dhe kjo është një e drejtë e jona legjitime që Ligji për festat kombëtare të ketë edhe 24 qershorin si Ditë memorialë të Komunitetit Egjiptian. Edhe në atë kohë Lista Serbe nuk e ka votuar, tani në situatën aktuale nuk qëndrojnë në sallë kur vjen rendi për këtë ligj. Ky është një reflektim shumë i rëndësishëm, jo vetëm i komunitetit tonë, por edhe për të gjithë qytetarët dhe partnerët tanë strategjikë se nuk mund të kemi instrumente të cilët një komunitet mund t’i shfrytëzojë në kurriz të një komuniteti tjetër apo mazhorancës në Kosovë”, ka përfunduar Krasniqi. /KSP