Arbëri

Havolli: Rreth 10 milionë euro janë investuar në Kosovë në 5 vjetët e fundit në kriptoasete

Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, ka thënë se në pesë vjetët e fundit rreth 10 milionë euro janë investuar nga Kosova përmes sistemit financiar nëpërmjet platformave të ndryshme në kriptovaluta.

Havolli, ka thënë se në BQK nuk i njohin ato si kriptovaluta por si kriptoasete.

Ai ka treguar për paralajmërimet që BQK-ja u bën gjithë qytetarëve për investimet në kriptoasete.

Havolli po ashtu ka thënë se është normale që duhet paguar tatim për fitimet e arritura nga kriptovalutat.

Ai ka thëqnë se ka duhet të bëhen të qarta procedurat që të mbrohet përfundimisht sistemin ekonomik, përfshirë ai financiar në vend, qoftë nga rreziku i shpërlarjes së parave.

“Ka argumente të mjaftueshme që deri tash kriptoasetet, përdoren në masë të madhe për aktivitete që mund të jenë në zonën e hirtë të ekonomisë. Ekzistojnë mekanizma që mund ta zhvendosin këtë në terren të pastër, që siguron se çdo transaksion është legjitim. Sa i përket realizimeve përmes sistemit financiar. Rishtazi kemi kërkuar raport nga bankat për 5 vjetët e fundit sa i përket blerjes së kriptoaseteve. Kemi vërejtur se rreth 10 milionë euro në 5 vjetët e fundit janë investuar nga Kosova përmes sistemit financiar, nëpërmjet platformave të ndryshme të këmbimit. Pra nga llogaria bankare nëpërmjet platformave të ndryshme të këmbimit të kriptoaseteve. E afro 2 milionë euro janë kthyer, qoftë ato shitje, fitim, apo dikush edhe ka nxjerrë para me humbje”, ka thënë Havolli në DESK të KTV-së.