Arbëri

Dy skenarët e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri mes rrezikut për riciklim e politizim

KPK

Përderisa lufta mes Këshillit Prokurorial e Ministrisë se Drejtësisë për të ashtuquajturin reformë ligjore në sistemin prokurorial nuk dihet se si do të përfundojë, e vetmja gjë e sigurt është që konkursi për kryeprokurorin e ri të shtetit, me ose pa reformë legjislative, duhet të shpallet brenda dy javësh.

Një gjë e tillë parashihet në nenin 5 të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, e cila është nxjerrë bazuar në Ligjin për KPK-në.

Në këtë nen parashihet që konkursi të shpallet më së voni 3 muaj para se kryeprokurorit t’i skadojë mandati. E kryeprokurori Aleksandër Lumezi pa mandat do të mbesë nga data 21 prill.

“KPK-ja shpall konkurs për emërimin e kryeprokurorit të shtetit së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të kryeprokurorit aktual të shtetit”, thuhet në një nga nenet.

Konkursi ende nuk është hapur, e nëse ai hapet para se të bëhet ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial i bie që procedura të zhvillohet me procedurën e udhëhequr nga përbërja aktuale e KPK-së, të cilëve MD-ja po synon t’ua marrë me ligj mandatin.

Procediminin e këtyre ndryshimeve, ministrja Albulena Haxhiu e ka paralajmëruar brenda këtij muaji, por miratimi i ndryshimeve ligjore nuk dihet se kur do të bëhet.

Haxhiu për këtë projektligj e specifikisht për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve aktual të KPK-së pati kërkuar opinion nga Komisionin i Venecias e përgjigjen e tyre po e interpreton në favor të idesë së saj.
“Venecia konsideron se në qoftë se qëllimi është për ta depolitizuar KPK-në, për ta bërë atë sa më efikas justifikohet që të gjithëve t’u ndërpritet mandati, nëse nuk është kështu dhe nuk mund të justifikohet dot qëllimi që e keni, atëherë të paktën disa të lihen që të përfundojnë mandatin”, tha Haxhiu.

Por opinioni të cilit i referohet Haxhiu si konkludim ka pikërisht rrezikun nga politizimi i këtij institucioni me një pjesë të ndryshimeve ligjore të planifikuara, e dyshime ka te ndërprerja e mandatit të anëtarëve aktualë.

“Komisioni i Venecias rithekson se përfundimi i parakohshëm i mandatit të një anëtari të Këshillit (ku nuk është për shkak të dorëheqjes vullnetare, shfuqizimit të të gjithë institucionit ose arsye të tjera të ngjashme) duhet të lidhen gjithmonë me një keqbërje të identifikueshme ose me dështimin për të kryer detyrën e tij. Anëtarët e KPK-së nuk duhet të “shkarkohen” thjesht, sepse shumica parlamentare apo kolegët e tyre nuk i miratojnë vendimet që marrin”, thuhet në pikën 54 të opinionit të Komisionit të Venecias.

Anëtarët e KPK-së zgjidhën nga sistemi prokurorial e një pjesë e tyre nga Kuvendi.

Ndryshimet në këtë projektligj parashohin që të gjithë anëtarëve të sistemit prokuorial t’u merret mandati, dhe të mbesin vetëm anëtarët që zgjidhën nga Kuvendi, e sipas opinionit një gjë e tillë mund të paraqesë rrezik për shkak së përbërja e reduktuar e këshillit do të vendosë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, që është një nga pozitat më të rëndësishme.

“Këto dispozita kalimtare ngrenë dy shqetësime kryesore. Para së gjithash do të jetë “KPK-ja e reduktuar” e përbërë ekskluzivisht nga anëtarë laikë, të zgjedhur me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Me një përjashtim (për sa u përket procedimeve disiplinore), “KPK e reduktuar” do të ketë të njëjtën fuqi si KPK e plotë. Më e rëndësishmja, ajo mund të vendosë për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, e cila do të bëhet në fillim të vitit 2022”, thuhet në pikën 57 të opinionit të Komisionit të Venecias.

Kryeprokurori i shtetit ka mandat 7-vjeçar. Janë dy skenarë se si mund të zgjidhet ai- nga përbërja aktuale e Këshillit Prokurorial, të cilët janë kritikuar në publik për punën e tyre dhe favorizimin e grupeve të caktuara në favorizimin e grupeve të caktuara të prokurorëve. Ose skenari tjetër zgjedhja të bëhet nga përbërja jo e plotë e KPK-së nga anëtarët që do të zgjedhën nga Kuvendi e që mund ta rrezikojë politizimin për 7 vjet të tjera të Prokurorisë së Shtetit.