Arbëri

Murati: Vendi ka shënuar rritje rekorde të të hyrave, jemi përballur me tri kriza globale

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se sivjet Qeveria është përballur me tri kriza: krizën e pandemisë së COVID-19, inflacionin apo rritjen e çmimeve dhe krizën energjetike. Sipas tij, të tri këto kriza ishin globale, duke theksuar se për të tria është punuar.

Murati në një konferencë para mediave deklaroi se vendi ka shënuar rekord të të hyrave, me 2.2 miliardë euro, duke tejkaluar shifrën e 10 për qind të fitimit.

“E kemi gjetur një gjendje të vështirë e kaotike me shumë borxhe. Kemi bërë një skanim të gjendjes, duke identifikuar shumë shkelje. Shumicën prej tyre i kemi dërguar në organet e rendit. Jemi duke bërë çmos që ta kursejmë paranë publike. Sivjet kemi shënuar disa rekorde, të hyrat janë 2.2 miliardë euro, që tejkalojnë shifrat. 10 për qind fitim, një fakt që duhet theksuar është nga Dogana, kemi 2 miliardë euro në total. Për nëntë muaj kemi pasur një rritje reale”, deklaroi Murati.

I pari i Ministrisë tha se krahasuar muajin shtator të 2020-s me këtë të 2021-s, figurojnë mbi 25 mijë vende pune më shumë, e prej tyre 10 mijë figurojnë në Agjencinë Tatimore të Kosovës (ATK).

“Janë 27 masa, shumica kanë filluar operacionalizimin, disa edhe janë përfunduar. Kemi masat e punësimit, rreth 10 mijë vende pune të regjistruara në ATK sivjet. Masat për mbështetjen e bizneseve që i kemi ndarë për qasjen në financa. Kemi masa për mbështetjen e familjes. Në këtë aspekt kemi pasur mbështetje për familjet që i kanë humbur familjarët nga COVID-19, mbështetje të familjes me asistencë sociale, të pensionistëve, e kuzhinave popullore. Janë diku 13 kuzhina popullore”, shtoi ai.

Murati theksoi se sivjet për herë të parë kanë filluar pagesat për lehonat e shtesat për fëmijë. Rreth 130 mijë përfitues kanë marrë nga shtesat për fëmijë, e 7.300 përfitues për lehonat.