Arbëri

Varianti i ri mund ta përkeqësojë situatën me pandeminë në Kosovë

Përkundër konfirmimit të 9 rasteve me variantin Omicron, të koronavirusit, në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë, nuk parasheh ndonjë ndryshim të masave.

Një ditë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se janë konfirmuar 9 raste me varianti më të ri, që ka bërë shumë shtete të rikthejnë ashpërsimin e masave.

Sipas IKSHPK-së, nga 22 mostra të testuara në periudhën kohore 15 deri më 25 dhjetor, 9 nga to kanë rezultuar pozitive me Omicron.

Por, përkundër që në komunikatën e IKSHPK-së, të lëshuar gjatë së dielës, thuhet se edhe në Kosovë tashmë parashikohet që situata me pandeminë të rëndohet, nga MSh-ja thonë se duhet të zbatohen në përpikëri masat që janë në fuqi.

Nga ky institucion kanë thënë se edhe gjatë së hënës, ka pasur takime të trupave të ndryshëm që menaxhojnë pandeminë dhe se grumbullimet e shumta, që shoqërohen me mosrespektim të masave, mund ta përkeqësojnë situatën.

“Çdo ndryshim i masave është i lidhur me zbatimin e tyre dhe vaksinimin. Kosova është e përgatitur për të menaxhuar çdo situatë lidhur me COVID-19, ndërsa i rikujton qytetarët se përmes zbatimit të masave dhe vaksinimit, ata mund të ndikojnë drejtpërdrejt në parandalimin e përkeqësimit të situatës.​ Fatkeqësisht, ka mjaft si subjekte, ashtu edhe qytetarë që nuk i respektojnë masat dhe kjo përbën një rrezik dhe ndikon në përkeqësimin e situatës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë, qytetarët thonë se edhe qeveria duhet t’i ashpërsojë masat anti-COVID, për të parandaluar përhapjen e rasteve.

“Masat duhet të shtrëngohen, edhe tash, vazhdimisht duhet të jenë në nivel, jo vetëm kur të bëhen raste të shumta, mandej me fillu, duhet me parandalu”, ka thënë Hysen Fazliu, qytetar.

“Së pari duhet të vaksinohemi, të marrim 3 vaksinat eventualisht edhe të 4-tën, që është mbrojtja kryesore nga COVID-19, e pastaj masat duhet të shkojnë shkallë-shkallë, edhe me shiku ka është më shumë, jo vetëm e gjithë Prishtina me u mbyll, po me shku shkallë-shkallë, me këqyr cila kompani duhet të mbyllet e cila jo”, ka shtuar Sokol Halili.

Masat shtesë po i konsideron të nevojshme edhe infektologu Shemsedin Dreshaj, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Në ditët në vijim jemi në një kohë kur kemi një fluks të madh të bashkatdhetarëve tanë nga bota perëndimore, ku varianti Omicron është shumë i shpeshtë dhe janë ditë kur shoqërohen me bashkime e kremte familjare kështu që do të jetë mjaft të vështirë të japim një prognozë të saktë me ecurinë e pas këtyre ditëve për shkak se kjo varet nga respektimi i masave parandaluese dhe nga statusi vaksinal i personave që janë në kontakt të drejtpërdrejtë”, ka thënë Dreshaj.

Kosova, gjatë muajve të verës, u përball me mijëra vdekje e infektime me variantin Delta e Delta plus, për shkak të mosrespektimit të masave.