Arbëri

Afro një miliard euro dërgesë nga diaspora

Descriptive Text

Remitencat e diasporës këtë vit janë rritur për afro 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në afro një miliard, ka njoftuar Banka Qendrore e Kosovës. Sipas guvernatorit, kjo është një prej disa arsyeve pse Kosova ka shënuar edhe rritje ekonomike

Për dhjetë muaj, remitencat e diasporës kanë mbërritur në një miliard euro. Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo ka ndikuar edhe në rritjen e importit.

“Gjithashtu rritje kemi edhe te remitancat, të cilat kanë arritur vlerën 956 milionë euro apo me një rritje vjetore prej 20 për qind. Kjo bëri që të rriten edhe kërkesat e brendshme dhe njëkohësisht të rritet importi, ku importi me të dhënat e fundit që kemi në dispozicion shënoi vlerën 4.2 miliardë euro, ose një rritje vjetore 42.5 për qind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave arriti në 684 milionë euro ose me një rritje prej 60 për qind”, ka thënë Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Krahas rritjes së lartë të remitencave, Mehmeti shtoi se në Kosovë ka pasur edhe rritje të investimeve të huaja.

“Sa u përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2021 arriti në 389 milionë euro, krahasuar me 254 milionë sa ishte në vitin e kaluar. Këto kryesisht dominojnë prej investimeve të huaja direkte në sektorin e patundshmërisë, ku 265 milionë euro janë vetëm patundshmëri, ndërkaq 87 milionë janë në shërbime financiare”, ka sqaruar ai.

Udhëheqësi i BQK-së ka shtuar se përkundër pandemisë, vendi ka arritur të ruajë stabilitetin financiar dhe ka rritur kreditimin. Po ashtu, njoftoi se është evidentuar edhe një shkallë e lartë inflacioni dhe rritje e çmimeve. Sipas tij, përkundër vështirësive, Kosova falë diasporës, politikave të Qeverisë dhe rolit të BQK-së, ka shënuar rritje ekonomike prej 9.9 për qind.