Arbëri

Shkurtohet orari i punës, njësitet e vaksinimit mbyllen në orën 15

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për shkurtim të orarit të punës për ekipet e vaksinimit në njësitet e vaksinimit. Tash orari për këto ekipe do të jetë tetë orësh, nga ora 07:00 deri në 15:00, e jo siç ka qenë deri në orën 19:00.

Ndërkaq, ekipet mobile të vaksinimit do të jenë të pranishme në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës dhe në pikat kufitare do të jenë të pranishme me dy ndërrime, ndërsa në qendrën tregtare “Albi Mall” në Prishtinë, orari i vaksinimit është nga ora 12:00-20:00.

MSH-ja me këtë rast u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Interesimi për vaksinim në vend ka pësuar rënie të ndjeshme pas pikut që pati në muajt shtator-tetor. Deri tash në nivel vendi janë administruar një milion e 663 mijë doza. Nga to gati 780 mijë qytetarë i kanë marrë nga dy doza, ndërsa 99 mijë kanë vetëm nga një. Rreth 6500 është numri i dozave të treta të administruara.

Krahas shifrave të ulëta të vaksinimit, të ulëta mbesin edhe shifrat e rasteve të reja ditore. Aktualisht në Kosovë janë 331 raste aktive me COVID-19.