Arbëri

AAK i përgjigjet Mustafës: Harroji inatet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i është përgjigjur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili tha se e sheh të pamundur bashkëpunimin me PAN-in, por jo me AAK dhe Nismën.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj në një prononcim për Koha.net, ka thënë se koalicioni i tyre me të nominuarin për kryeministër Ramush Haradinaj, do ta bëjë qeverinë, por se edhe Mustafa duhet t’i harrojë inatet dhe t’i bashkohet Haradinajt.

Mustafa në një intervistë për televizionin publik ka thënë se “Ne do të jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë me AAK-në dhe Nismën, kur ata do të tërhiqen nga PAN-i dhe atëherë do t’u themi ulemi të bisedojmë dhe ta formojmë qeverinë”.

“Ne nuk jemi hajgerexhi. Opinioni publik dhe secili duhet ta dijë se ne e kemi një koalicion parazgjedhor fitues, i cili e ka një të nominuar për kryeministër e ai është Ramush Haradinaj. Ky koalicion do ta bëjë qeverinë, por do të ishte me interes për vendin, që politikanët në Kosovë, në këtë kuadër edhe zoti Mustafa, t'i harronin inatet personale dhe të bashkoheshin përreth Ramush Haradinajt, në mënyrë që Kosova ta kishte një qeveri stabile. Kjo nuk do të ishte as qeveri e PDK-së, as e LDK-së e as e AAK-se, por e të gjithëve bashkë”, ka thënë Nitaj.

Ai tutje ka thënë se edhe nëse kjo nuk është e mundur, PAN-i me ose pa LDK-në, do ta krijojë qeverinë.

“Nuk e kemi hallin e numrave, por do të donim që në qeverinë e ardhshme të përfshiheshin sa më shumë përfaqësues të zgjedhur të popullit. Thash, është me interes që të kapërcehen inatet personale dhe të krijohet një qeveri me një bazë sa më të gjerë”.

Për fund, Nitaj tha se kundërshtimi i PDK-së për partner nga ata që deri dje ishin me ta, atij i duket pak si “logjikë e inatçorëve”.