Arbëri

Nushi: Do të jemi të shantazhuar nga KEDS-i deri në mars

Nol Nushi, aktivist i Partisë Social-Demokrate, ka thënë se KEDS-i do ta shantazhojë Qeverinë e Kosovës deri në muajin mars, duke i thënë se nëse nuk ia mbulon humbjet, ai do të shkojë me reduktime të energjisë elektrike për qytetarët.

Nushi ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se ndarja e mbi 20 milionë eurove për të subvencionuar importin e energjisë elektrike është një gabim i Qeverisë Kurti.

“Unë jam ithtar i idesë që asetet strategjike, nuk mund t’ia lësh në dorë kapitalit privat. Kemi pasur premtime elektorale nga z.Kurti që do ta rrisë pronësinë publike të aseteve. Deri tani kemi parë vetëm zëvendësim të bordeve nga militantë të partive të kaluara, në militantë të partisë së tij, dhe subvencionim i profitit të KEDS-it direkt nga paratë tona. Bash në momentin kur Qeveria ndau 20 milionë euro, nesër do të kemi reduktime të rrymës. Do të jemi të shantazhuar deri në mars nga një kompani private e cila thotë se nëse nuk mi reduktoni humbjet, unë do ta ndali rrymën”, ka thënë Nushi.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës po paguajnë dyfish energjinë elektrike, një herë në fund të muajit, dhe një herë tjetër nga taksat e tyre, përmes subvencionimit të importit.

“Nëse vazhdomë me avaz të tillë, që sa herë që ka humbje shteti duhet të ndërhyjë, çka është esenca e privatizimit të distribucionit. Pretendimet e kompanive se u shkelen të drejtat, janë milionëshe ose edhe miliardëshe. Nuk duhet të frikësohemi se mos po na padit dikush. Ideja është se KEDS-i ka gjeneruar fitim prej 143 milionë eurosh, kjo është nxjerrë nga ministri i Financave, Hekuran Murati. Me këto fitime, sot s’kishim pas nevojë ta paguajmë rrymën dyfish, sepse njëherë po e paguajmë faturën në fund të muajit, ndërkohë Kurti përmes taksave që ne e mbushim buxhetin po ia paguan edhe një pjesë kompanisë private”, ka thënë Nushi.

Sipas tij, dallimi mes KEDS-it dhe asaj çka ka qenë më herët është vetëm pronësia. Ai ka thënë se Albin Kurti sot nuk përfaqëson asnjë vlerë politike, por vetëm fuqi elektorale.

“Në vend së të hetojë se si është privatizuar KEDS-i, ai i jep para kësaj kompanie”, ka thënë Nushi.

Të enjten, në Kosovë do të kthehen reduktimet e energjisë elektrike sikur në vitet e para të pasluftës.

Siç ka njoftuar operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS, ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.