Arbëri

Mbështetja e Varhelyit për Ballkanin e Hapur s’është qëndrim zyrtar i BE-së

Me thirrjen e përsëritur që t’i bashkohen edhe shtetet e tjera, themeltarët e “Ballkanit të hapur” kanë nënshkruar një sërë dokumentesh të cilat lehtësojnë qarkullimin mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

Teksa ka listuar përfitimet nga nisma të cilën e refuzon Kosova, nikoqiri i takimit të radhës, kryeministri Edi Rama, ka insistuar se nuk ka kthim mbrapa pavarësisht a iu bashkohen të tjerët apo jo.

“Ky është ‘Ballkani i hapur’, nuk është konspiracion, është një proces çlirimi nga forcat e punës prej të gjitha pengesave të legjislacioneve të vendeve të ndryshme. Kush do të ecë, ec kush do të kërcejë në vend le të kërcejë apo le të kërcejë mbrapsht. Kështu që ‘Ballkani i hapur’ nuk ndalet, është interes strategjik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve përtej interesit të përbashkët rajonal. Do të vijnë në Ballkanin, vetëm do humbasin kohë. Kush humbas kohë le të humbasë, por vendet që janë këtu do të fitojnë pjesën e tyre me aq sa janë të zotë, me aq sa kanë mundësi dhe dinë të veprojnë”, ka thënë Rama.

Ndërkaq presidenti i Serbisë ka përmendur kufijtë e Kosovës, teksa ka përsëritur ftesën që nismës t’i bashkohet edhe shteti të cilin nuk e njeh.

Por i është shmangur pyetjes nëse do ta pranonte që Kosova të prezantohej me simbolet e saj.

“Ne mund të përmendim pikat e kalimit kufitar në Jarinjë midis Kosovës e Serbisë apo drejt Luginës së Preshevës apo Serbisë Qendrore, siç e themi. Megjithatë, le të flasim për thelbin. A do të jetë më e lehtë për shqiptarët dhe serbët nëse nuk do të kishte të tillë kufij apo radhë që njerëzit të lëviznin lirisht. Pra, këto krijojnë probleme të pafundme. Besoj se jo. Nuk besoj se ka njeri qoftë në Prishtinë, Mitrovicë, Beograd apo Tiranë që nuk do të binte dakord me këtë. Në qoftë se do të kisha problem që ata të shfaqeshin apo do ta zgjidhnin çështjen e statusit të Kosovës, kjo është çështje në juridiksionin e dialogut në Bruksel. Sa i takon çështjeve ekonomike, lirisë së lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe njerëzve jemi të obliguar të punojmë së bashku dhe nuk kemi asnjë problem”, u shpreh Vuçiqi.

Ndërkaq Zoran Zaev, për të cilin ishte dita e fundit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, tha se “Ballkani i hapur” është një proces autentik nga i cili përfitojnë të gjitha vendet e rajonit.

Edhe një zyrtar i lartë evropian i ka dhënë mbështetje “Ballkanit të hapur”.

Përmes një videolidhjeje, komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian ka ftuar edhe shtetet e tjera të Ballkanit t’i bashkohen iniciativës.

Thyerja e gotës teksa po komunikonte me zyrtarin evropian, sipas Ramës, është shenjë se syri i keq mori goditje dhe ky është lajm i mirë për “Ballkanin e hapur”.

“Kam qenë gjithmonë i prirë shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt mini-schengen. Më pas u përpoqëm brenda Procesit të Berlinit dhe u krijua me Tregun e përbashkët rajonal, por për fat të keq me disa zgjedhje në rajon u la mënjanë. E konsideroj këtë iniciativë një pasardhëse apo një zëvendëse derisa të jenë të gjithë vërdallë tryezës. Është ky përfundim që e kam nxjerrë unë. Vazhdoni ta nxitni këtë nismë sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë, për ekonomi, shoqëri. Rajoni kërkon të jetë bashkë siç jemi ne në Bashkimin Evropian”, ka thënë Oliver Varhelyi, komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se mbështetja e komisionerit nuk është edhe qëndrim zyrtar i BE-së.

“Edhe pse komisioneri ka shprehur mbështetjen për nismën ‘Ballkani i hapur’, disa diplomatë në Bruksel këtë e shohin si qëndrim të tij personal, e jo si qëndrim formal të Bashkimit Evropian. Në parim BE-ja mbështet të gjitha nismat të cilat ndihmojnë integrimin rajonal, por me kusht që ato të jenë inkluzive. Përderisa tri shtete refuzojnë që të jenë pjesë e ‘Ballkanit të hapur’ kjo nismë nuk mund të quhet inkluzive pa marrë parasysh se tri shtetet që janë në të kanë përsëritur sot ftesat për të tjerë që të vijnë”, ka thënë Palokaj.

Ndërkaq në samitet e radhës Rama ka thënë se do të trajtohen barrierat tarifore, duke ftuar edhe Italinë, Greqinë dhe Hungarinë.

Në kuadër të samitit- Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar pesë marrëveshje.

Tri shtetet nënshkruan marrëveshje për qasjen e lirë në tregun e punës; marrëveshje për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve; marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, ushqimit, sigurisë ushqimore dhe në fushën fito-sanitare; dhe marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë për autorizimet e sigurisë dhe sigurimit.