Arbëri

Deri në fund të javës konfirmohet nëse ka mbërritur ose jo Omicroni në Kosovë

Descriptive Text

Mostra të tjera për testim për variantin Omicron të koronavirusit janë dërguar nga Kosova për në Gjermani gjatë së hënës. Këto mostra pozitive me COVID-19, janë mbledhur gjatë dy javëve të fundit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

IKSHPK-ja është ende në pritje të rezultateve për 72 mostrat e dërguara më parë në laboratorin e shtetit gjerman, për detektimin e këtij varianti, për shkak se Kosova nuk ka kapacitete për detektim të këtij varianti.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë se rezultatet e mostrave të dërguara presin që të arrijnë deri në fund të kësaj jave.

“Deri më sot 20.12.2021, IKSHPK-ja nuk ka pranuar rezultatet nga mostrat e fundit të dërguara për sekuencionim në Gjermani përmes programit të përkrahur nga ECDC-ja (European Center for Disease Control); Rezultatet e këtyre mostrave do të duhej të arrinin deri në fund të kësaj jave; Mostra pozitive të SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit në IKSHPK planifikohen të dërgohen sot (20.12.2021) përmes të njëjtit program”, thuhet në përgjigjejn e Ministrisë së Shëndetësisë.

Derisa vende të ndryshme të botës, tashmë janë alarmuar për variantin më të ri të koronavirusit, Kosova vazhdon të ketë situatë më të qetë.

Madje, për shkak të kësaj edhe masat anti-COVID vazhdojnë të mos jenë më shumë kufizime të ashpra. Qeveria e Kosovës javën e kaluar vendosi që të lejojë edhe hyrjen e qytetarëve të pavaksinuar, e të cilët posedojnë dokumentacion të Kosovës.

Nga MSH-ja, kanë thënë se edhe më tutje vazhdojnë të jenë në fuqi masat e njëjta, por ato po shqyrtohen kohë pas kohe.

“Sa u përket masave, ato shqyrtohen kohë pas kohe sipas zhvillimit të situatës epidemiologjike. Aktualisht situata është e qetë, por prania e Omicronit në shumë shtete duhet të kthehet në kujdes maksimal për të mos pasur ndonjë përkeqësim të situatës. Aktualisht janë në fuqi masat e datës 30 nëntor, deri në ndonjë vendim tjetër”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

E për të shmangur një valë të re infektimesh, infektologët vazhdojnë ta shohin si zgjidhje vaksinimin kundër COVID-it.

“E vetmja që mundet me na ndihmu që mos me pas përsëritje të atyre skenarëve që kemi pasur, të valëve të mëparshme, është që të vaksinohemi dhe të mos harrojmë t’i mbajmë maskën, distancën e higjienën”, ka thënë Albina Ponosheci-Bicaku, infektologe.

Megjithatë, Klinika Infektive, e cila tashmë ka vetëm 4 pacientë me COVID-19, është e mbushur me pacientë që po trajtohen edhe me gripin sezonal, e që po përhapet shpejt.

“Numri më i madh i pacientëve është me sëmundje të tjera infektive që jemi duke i trajtuar në repartet e tjera, ku kryesisht po kemi gjendje hebrile që po duhet me u testu përveç për COVID-19 po testohen edhe për influencën A dhe B, pasi që është mos të themi epidemi e gripit, ku një numër i madh i qytetarëve janë të infektuar me virusin e gripit dhe më shumë kemi fëmijë të infektuar”, ka shtuar ajo.

Tash e një javë edhe Kosova ka filluar me administrimin e dozës së tretë e përforcuese kundër COVID-19, e që deri më tash mbi 4 mijë qytetarë e kanë marrë atë.

Por, nga sot vaksinimi i qytetarëve në Prishtinë nuk do të bëhet më në sallën “1 Tetori”, pasi tash e tutje imunizimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr. 7 në lagjen “Kalabria”.