Arbëri

MSH-ja paralajmëron për rrezikun nga vala e re, bën thirrje për vaksinim e respektim të masave

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me vaksina kundër COVID-19, e ata që kanë marrë dy dozat e vaksinës të marrin edhe dozën përforcuese apo të tretë, nëse e kanë radhën për këtë.

Nga MSH-ja është thënë se vaksinimi dhe respektimi i masave është shumë i domosdoshëm, veçanërisht pas paraqitjes së variantit të ri Omicron.

“Dhjetori na gjen me situatën epidemiologjike relativisht të qetë, mirëpo nën rrezikun e lartë për një valë të re gjatë javëve në vijim, gjë që na detyron përsëri të rrisim vigjilencën tonë. Si gjithnjë, do t'i mirëpresim mërgimtarët tanë, sepse janë pjesë integrale e shoqërisë sonë, megjithëse edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet masive, sepse paraqesin rrezik të lartë në këtë situatë. Dhe, më e rëndësishme, javëve të fundit në shumë vende është shfaqur varianti i ri, Omicron, i virusit korona, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar si “variant shqetësues” dhe ka paralajmëruar mundësinë e “pasojave të rënda” nga valët e shkaktuara prej këtij varianti. Për shkak se këto rreziqe mund të fillojnë të shfaqen brenda ditësh, zbatimi më efikas i masave është jo vetëm i domosdoshëm, por dhe çështje urgjente. Ndërkohë që secili nga ne të zbatoj masat, le të inkurajojmë njëri tjetrin për t’u vaksinuar me të dy dozat, e kur të iu vie radha edhe dozën përforcuese/të tretë. Tashmë është shumë lehtë: pa termin, kudo dhe pavarësisht vendbanimit e shtetësisë”, thuhet nga MSH-ja.

MSH-ja ka thënë se shkaku i rreziqeve janë marrë masat kufizuese si brenda vendit ashtu edhe në pika kufitare, ndërsa ka thënë se në momentin e parë që rreziqet zbuten, atëherë do të propozohen masa lehtësuese.

“Jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja të analizës epidemiologjike dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, mbi të cilat ne do të përditësojmë masat, konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë. Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë angazhohet që në momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten, apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken fillimisht, Qeverisë së Republikës së Kosovës do të i propozohen masat e reja lehtësuese, gjithmonë pa e rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve. “Bashkë ia dalim” është sllogani i fushatës së vaksinimit, dhe besojmë që përgjithësisht në përballjen me Covid-19 ja dalim vetëm bashkë, pasi që para së gjithash ne jemi këtu për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e secilit qytetar nga rreziku që vie nga Covid-19, andaj një përpjekje e përbashkët e qytetarëve dhe veprimtarive socio-ekononomike në zbatimin e masave aktuale antiCovid e lehtëson ndërmarrjen e lirimit eventual të masave në funksion të veprimit më dinamik të ekonomisë dhe jetës sociale”, thuhet nga MSH-ja.

Edhe nga IKSHPK-ja është bërë thirrje për vaksinim e respektim të masave, ndërsa është thënë se rrezikohet përhapja e variantit të ri duke marrë parasysh se në Kosovë për festat e fundvitit do të vijnë një numër i madh i qytetarëve nga shtetet me numër të rritur të rasteve me variantin e ri.,

“Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të festojmë së bashku duke respektuar masat sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19. Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës. Nga java e kaluar Ministria e Shëndetësisë ka filluar vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18-vjeçare”, thuhet nga IKSHPK-ja.