Arbëri

Qeveria ia ndan 20 milionë euro KEK-ut

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës, në kuadër të mbledhjes së 49-të të mbajtur të premten në formë elektronike.

Sipas njoftimit nga Qeveria, këto mjete do të shërbejnë për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.

Shfrytëzimi i mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë, thuhet në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti të enjten në emisionin Desku në KTV paralajmëroi vendimin duke thënë që “KEK-u më pastaj ta mbulojë një pjesë të importit të energjisë”.

I pyetur se përse KEK-u edhe pse ai nuk e bën shpërndarjen e rrymës, Kurti ishte shprehur se kjo po bëhet që të mos e bëjë direkt “Qeveria me KEDS-in e KESCO-n, por KEK-u sepse KEK-u është edhe emri i prodhimit, por edhe emri i institucionit të energjisë në Kosovë”.

Kriza energjetike ka përfshirë edhe Kosovën, për shkak të ngritjes enorme të çmimit të rrymës në botë.

Po ashtu Qeveria ka vendosur edhe për mbështetje financiare për të subvencionuar importin e rrymës.