Arbëri

Ekspertët nuk e shohin të lehtë taksimin e të ardhurave nga kriptovalutat

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar ata që merren me kritpvovaluta, që të ardhurat e gjeneruara duhet të deklarohen dhe të tatohen. Megjithatë, Kosova nuk ka ende ligj për çështjen e kriptovalutave. Madje shumë banka nuk pranojnë transaksione dhe blerje të këtyre monedhave virtuale. Sipas njohësve të kësaj fushe, identifikimi dhe taksimi i personave që merren me kriptovaluta është problematikë që do trajtim më serioz

Ende pa u miratuar Ligji që rregullon çështjet e kriptovalutave, Administrata Tatimore e Kosovës ka paralajmëruar një lloj ndjekjeje për personat që krijojnë të ardhura nga kjo veprimtari. Sipas këtij institucioni, të ardhurat nga kriptovalutat janë të tatueshme.

Megjithatë, Kosova ende nuk ka legjislacion që rregullon fushën e investimeve në kriptovaluta.

Sipas profesorit të financave, Florin Aliu, problemi i taksimit të valutave është më i gjerë dhe se identifikimi i personave që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat është i vështirë.

“Pika e parë identifikimi, e dyta është vetëdeklarimi, por se si çka trajtohen, pasi nëse trajtohen në bazë të të ardhurave mujore apo vjetore, duhet të taksohen në bazë mujore ose vjetore. Edhe një send tjetër, nëse dikush ka kriptovaluta, i shet dhe prapë i investon, atëherë këto nuk taksohen, pra janë shumë probleme që duhet të diskutohen. Nuk e di se çfarë ekspertësh kanë marrë pjesë në përpilimin e kësaj ideje, por nuk mu duk aq serioze”, ka thënë Aliu.

Komisioni për Ekonomi ka iniciuar hartimin e ligjit për kriptovaluta, i cili pritet që të miratohet deri në fund të këtij viti.

Sipas njohësit të kësaj fushe, Granit Kadolli, ligjet në Kosovë ende nuk i njohin kriptovalutat dhe se kjo fushë nuk është e rregulluar me legjislacion.

“Normal se duhet të paguhet tatimi, por këtu p.sh. ka shumë mangësi, pasi që shumicës së njerëzve nuk iu është lejuar që të blejnë përmes kartave, si është e mundur që të lejohet dhe me ditë që ka ble kriptovaluta, ku gjatë krejt kohës, kur kam tentuar 4-5 herë që të blej dhe ma kanë bllokuar se e kanë parë si rrezik të lartë dhe ndonjëherë kam mundur me ble prej këtyre që bëjnë ‘mining’, që kanë obligim me pagu rrymën, tatimin dhe qiranë”, ka thënë Kadolli.

Iniciativa për hartimin e Ligjit për kriptovaluta ka për qëllim t’i detyrojë ata që merren me këtë tregti t’i paguajnë tatim shtetit.

Aliu tregon se si është e rregulluar pjesa e tatimit në Amerikë.

“Pika tjetër në bazë të atij njoftimi nuk ishte e qartë se cila pjesë do të taksohet, për arsye se nëse e shohim legjislacionin në Amerikë, ajo taksohet nga shitja. Për shembull, nëse t’i e ke ble një bitcoin supozojmë me 10 euro dhe brenda 1 viti e ke shit me 20 euro, për këtë diferencë prej 10 eurosh paguhet taksë. Mirëpo nëse t’i e mban kriptovualutën më shumë se 1 vet, kjo konsiderohet si investim dhe taksohet më pak, mirëpo nëse e blen dhe e shet brenda vitit disa herë, atëherë taksohet më shumë”, ka theksuar Aliu.

Sipas tij, kjo duhet të varet edhe nga volumi i kriptovalutave që ka.

“Problemi tjetër është se këto taksohen nëse je person fizik taksohen në bazë të të ardhurave personale, por nëse je firmë atëherë këto regjistrohen si investime, por varësisht nga legjislacioni i vendit. Unë u habita pak kur e pashë këtë njoftim, pasi nuk ekziston legjislacion në fuqi që e rregullon këtë treg, si do të trajtohen këto, a janë instrumente financiare, si i trajton Republika e Kosovës këto”, ka thënë Aliu.

Ka thënë se në SHBA nëse ke humbje nga shitja, ka zbritje në taksa.

“Problemi është identifikimi i këtyre personave. Pasi nëse bëhet me vetëdeklarim kjo mund të bëhet me bankomatat ku nxirren këto kriptovaluta, apo përmes transaksioneve bankare, por ne e dimë që deri në 10 mijë euro banka nuk kërkon llogari se nga rrjedh ky transaksion. Pra, është shumë problem që mendoj që është shumë i shpejtë për t’u trajtuar”, ka theksuar Aliu.

Kriptotregtia është industria më e përfolur në botë. Shumë shtete tashmë e kanë rregulluar me ligj përdorimin e tyre, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të Bashkimit Evropian.

Edhe Shqipëria është në proces të lejimit të monedhave virtuale. Sipas projektligjit, tregtarët duhet të pajisen me licenca për t’u marrë me to.