Arbëri

Kosovës i afrohet varianti i ri, MSH-ja paralajmëron dozën e tretë nga ky muaj

Varianti Omicron është shfaqur në Ballkan. Kroacia e ka identifikuar rastin e parë të saj. Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar dozën e tretë të vaksinës anti-COVID brenda muajit, e profesionistët shëndetësorë u kanë kërkuar qytetarëve të vaksinohen e t’i respektojnë masat në prag të festave të fundvitit

Varianti që e kanë gjetur profesionistët shëndetësorë të Afrikës së Jugut është identifikuar edhe në rajon. Kroacia e ka gjetur rastin e parë në një mostër të marrë më 1 dhjetor.

Derisa në Kosovë gjatë ditës janë shënuar katër raste me COVID-19, profesionistët shëndetësorë kanë deklaruar se Omicroni ka shumë të panjohura.

Vaksinimi e respektimi i masave, sipas infektologut Murat Mehmeti, janë mjetet e vetme të qytetarëve për t’u mbrojtur nga ky virus, tash në fundvit ku edhe grumbullimet e qytetarëve pritet të jenë më të shpeshta.

“Masat pa dyshim që mbesin të njëjtat edhe më tutje, pra nuk është që ne duhet të relaksohemi, duhet edhe më tutje të mbahet maska, duhet edhe më tutje të mbahet higjiena personale, duhet edhe më tutje të qëndrojmë në vende-hapësira ku janë të ajrosura mirë, jo në hapësira ku ka grumbullim të madh të njerëzve dhe krejt në fund masa më e rëndësishme mbetet edhe më tutje vaksinimi”, ka thënë Mehmeti.

Ministria e Shëndetësisë ka pohuar se është në fazën e fundit për ta filluar administrimin e dozave përforcuese dhe atyre të treta.
 

“Doza përforcuese u jepet personave që i kanë marrë të dy dozat e vaksinës, por që kanë më shumë se 6 muaj qëkur e kanë marrë dozën e dytë. Te këta persona llogaritet se me kalimin e kohës imuniteti i krijuar nga vaksina mund të ketë pësuar rënie. Doza e tretë, ndërkaq, u jepet personave që i kanë marrë të dy dozat, por të cilët kanë më shume se 8 javë nga marrja e dozës së dytë dhe më pak se 6 muaj. Kjo dozë u jepet personave, pra që i kanë marrë të dy dozat, por të cilët konsiderohet se nuk kanë mundur të zhvillojnë imunitet të mjaftueshëm. Gjasat janë që këto dy doza të fillojnë të administrohen këtë muaj. Prioritet do të jenë sigurisht kategoritë e të moshuarve, personat me imunitet të kompromituar, por pa përjashtuar ndonjë kategori prej atyre që lejohen të vaksinohen”, ka njoftuar MSH-ja.


Omicroni ende nuk është identifikuar në Kosovë, por sipas Ministrisë gjatë kësaj jave janë dërguar mostra për testim jashtë vendit.

“Mostrat e dërguara (pozitive në SARS COV-2) më herët nga IKSHPK-ja në Gjermani për analizë, janë kthyer javën e kaluar dhe në to nuk ka rezultuar ndonjë rast i variantit Omicron. Të gjitha rastet pozitive që kanë qenë, kanë qenë të variantit Delta dhe Delta Plus. Mostra të tjera më të reja janë dërguar nga IKSHPK-ja të hënën për analizë në Gjermani dhe kthimi i tyre merr një kohë. Në momentin që pranohen rezultatet, ato do t’i komunikohen publikut për të pasur informacion nëse do të ketë përveç variantit Delta dhe Delta plus, edhe ndonjë rast të variantit Omicron”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Rreth 1.000 qytetarë janë vaksinuar gjatë së shtunës. Vaksinimi pa terminë ka vazhduar edhe nëpër stacione të vogla, si ato në qendra tregtare, ashtu edhe në qendrat e vaksinimit.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se varianti Omicron tashmë është dominues në Afrikën e Jugut. Si për variantet e kaluara, shumica dërrmuese e të hospitalizuarve apo mbi 80 për qind janë të pavaksinuar.