Arbëri

Pushteti pa ndonjë veprim për ta anuluar marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin

Ndonëse pushteti i tashëm e kundërshton Asociacionin, ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shfuqizuar ligjin, me të cilin është ratifikuar marrëveshja që parasheh formimin e kësaj trupe për komunat me shumicë serbe. Ish-kryeministri Mustafa ka konsideruar se pengimi i Asociacionit mund të bëhet vetëm duke shfuqizuar ligjin. E në shoqërinë civile kanë thënë se pa Asociacionin nuk do të mund të arrihet marrëveshje me Serbinë

Shumica në Kuvend nuk ka ndërmarrë veprime ligjore, në funksion të shfuqizimit të bazës ligjore për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kundër të cilit është.

Në shoqërinë civile thonë se formimi i kësaj trupe përbën detyrim për vendin.

“Kosova ka obligim ndërkombëtar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse e kemi ratifikuar Marrëveshjen e 2013-s në Parlamentin e Kosovës, ku parashihet krijimi i këtij asociacioni”, ka thënë Lulzim Peci, drejtor i Institutit KIPRED.

Të enjten, në emisionin DESKU, ish-kryeministri Isa Mustafa tha të ketë gjithsej dy alternativa për Qeverinë, meqë Asociacioni parashihet me marrëveshje ndërkombëtare, të ratifikuar nga Kuvendi.

“Vendit i mbeten dy zgjidhje: Ose duhet të mblidhet Kuvendi dhe ta abrogojë ose ta anulojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë me mbi 80 vota, me dy të tretën e votave, dhe mandej ne nuk kemi obligime juridike që ta bëjmë atë, ose duhet të punohet që të implementohet ligji për marrëveshjen e parë”, u shpreh Mustafa.

Gjatë ditës, në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, parti që e drejton Qeverinë, nuk kanë folur për mundësinë e anulimit të ligjit, me të cilën është ratifikuar marrëveshja që kërkon formimin e Asociacionit.

E, zëvendëskryeministri shprehu ditë më parë qëndrimin e pushtetit të tashëm, për të mos i përmbushur pikat për Asociacionin që i parasheh marrëveshja.

“Nuk mund të ketë Asociacion. Ajo që kemi thënë ne në vazhdimësi në Bruksel është që ne jemi në maksimum të vullnetshëm të punojmë për gjetjen e modaliteteve më të mira për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve”, ka thënë Bislimi.

Megjithëkëtë, Lulzim Peci insiston se Asociacioni duhet formuar, ani se jo tani.

“Kjo duhet të jetë pjesë e pakos gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe pa këtë ne nuk do të mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë. Po ashtu, nuk do të mund të kemi edhe përkrahje dhe mirëkuptim nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse e vëreni, këtë e kërkojnë nga Uashingtoni në Bruksel dhe të gjitha kryeqendrat kyç”, ka shtuar ai.

Kosova vazhdimisht përballet me presionin ndërkombëtar për ta zbatuar marrëveshjen për Asociacionin. Qeveria Kurti i është përgjigjur negativisht, pasi druan se me themelimin e tij Kosova mund të bosnjëzohet.