Arbëri

Mehaj: 32 milionë euro u ndanë për blerjen e makinerive ushtarake

Armend Mehaj

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se 32 milionë euro është shuma e makinerive që janë blerë. Ai para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka deklaruar se blerjet janë bërë për modernizim të ushtrisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Me anë këtyre marrëveshje e rrisim partneritetin me miqtë tanë ndërkombëtar por i realizojmë blerjet me çmime më konkrete. Blerjet janë të sigurua, realizim më konkret dhe çmimi është më konkret. Në total për këto blerje në ministrinë e Mbrojtjes janë blerë rreth 32 milionë euro, këtu përfshihen lloje të armatimeve, snajperë, dronë dhe pajisje tjera që nuk mundem m’i përmend para opinionit”, tha Mehaj.

Ai theksoi se kanë marrë konfirmimin se Kosova do të jetë nikoqire e operacionit ushtarak “Defender Europe 2023”.

Ai konfirmoi se Ministria e Mbrojtjes veçse ka filluar përgatitjet për këtë operacion që do të mbahet pas dy vitesh.

“Me datë 25 tetor kemi marrë konfirmimin se Kosova do të jetë vendi nikoqir i ‘Defender Europe 2023’. Kjo ka rëndësi të madhe për ne sepse do të marrim pjesë me dy regjimente. Ne kemi filluar menjëherë përgatitjet si me blerjen e pajisjeve ushtarake që nevojiten për këtë ushtrim”, tha ministri.

Më tutje, Mehaj tha se ky konfirmim dëshmon se Kosova dhe SHBA-ja i kanë raportet e mira dhe të ngushta.

“Unë e ritheksoj në plotësi se kurrë më mirë s’kemi pasur bashkëpunim me SBA-të sesa që kemi sot. Këtë mundet t’ua konfirmojnë edhe ShBA-të”, ka thënë Mehaj.

Pas përfundimit të raportimit të ministrit Mehaj, kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha kërkoi që ky raportim i tij të jetë pa praninë e medieve./EO/