Arbëri

Rreziku nga variantet e reja - paralajmërohet ashpërsimi i masave anti-COVID

Në prag të festave të fundit, ku grumbullimet mund të shpeshtohen, është bërë thirrje që edhe Kosova të ndërmarrë masa kundër përhapjes së COVID-19. Mjekët në Evropë thonë se as Kosova nuk do të shpëtojë nga varianti i ri, e që po shihet shqetësues edhe nga OBSH-ja. Ministria e Shëndetësisë nuk ka mohuar mundësinë e ashpërsimit të masave

Pas shtimit të rasteve me COVID-19 në rajon e vendet e BE-së, edhe Kosova pritet që t’i ashpërsojë masat. Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se propozimet e MSH-së me masat e reja do të dërgohen këtë javë në Qeveri për t’u votuar, dhe se masat e reja do t’u përgjigjen situatës aktuale dhe rreziqeve që mund të shfaqen. Sipas këtij institucioni, përveç variantit fillestar të koronavirusit, në Kosovë në qarkullim janë varianti Delta dhe Delta plus.

“Masat pritet të rishqyrtohen shpejt, bazuar në diskutimet në Komitet dhe rekomandimet e IKSHPK-së. Propozimet e MSH-së pritet t’i shkojnë Qeverisë këtë javë për masat e reja. Masat e reja do t’i përgjigjen situatës aktuale dhe rreziqeve që mund të shfaqen. Ato nuk përjashtojnë asnjë institucion, ndërsa fokus do t’i kenë mjediset që konsiderohen super shpërndarëse. Përveç varianteve të para, së fundi në Kosovë janë në qarkullim varianti Delta (me dominim të qartë) dhe varianti Delta plus”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Nga IKSHPK-ja nuk kanë kthyer përgjigje nëse janë dërguar mostra jashtë vendit, apo nëse Kosova mund ta detektojë variantin e fundit “Omicron” .

Teksa, gjatë ditës edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar duke thënë se bazuar në karakteristikat, pasojat mund të jenë të rënda nga varianti i ri dhe se po vlerësohet rreziku si shumë i lartë. Sipas OBSH-së, mutacionet në variantin e ri e bëjnë potencialisht të mundur shmangien e imunitetit e po ashtu edhe mundësinë e përhapjes më të shpejtë. “Duke marrë parasysh mutacionet që mund t’i japin një ikje potenciale nga imuniteti dhe epërsi në përhapje, mundësia për përhapje të mëtutjeshme të Omicronit në nivel global është shumë e lartë. Bazuar në këto karakteristika, mund të ketë rritje të ardhshme të rasteve me COVID-19, që mund të ketë pasoja të rënda, varësisht nga një numër i faktorëve ku rritja mund të ndodhë. Rreziku i përgjithshëm global nga varianti Omicron po vlerësohet si shumë i lartë”, thuhet në vlerësimin e OBSH-së.

Varianti i ri i quajtur Omicron tashmë ka bërë që në shumë vende të rikthehen kufizimet e ashpra.
E sipas kryetares së Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, as Kosova nuk do të mund të shpëtojë nga ky variant.

“Ata që kanë vaksinën nuk përfundojnë në spital, ata që janë të pavaksinuar nëse kanë fatin e keq që të infektohen sidomos me variantet e reja qoftë Delta apo Omicron që vjen nga Afrika, ata kanë një rrezik tepër të lartë që të përfundojnë në reanimacion me komplikacione deri në vdekjeprurëse... Rreziku i infektimit të një numri të lartë të qytetarëve në Kosovë është me të vërtetë real dhe shumë i lartë sidomos në kohën e festave të fundvitit, të cilat na presin, sidomos për ne familjet shqiptare grumbullimet e familjeve në ambiente të vogla dhe me një numër shumë të madh”, ka thënë ajo.

Varianti i koronavirusit, Omicron, për herë të parë u identifikua në Afrikën e Jugut më 23 nëntor të vitit 2021.
Përveçse në Afrikën e Jugut, varianti është identifikuar edhe në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali.