Arbëri

U jepet lamtumira e fundit dy nxënësve që u vranë në Gllogjan

Në Gllogjan iu dha lamtumira e fundit dy nxënësve që u vranë në sulmin që ndodhi në këtë fshat të premten.

Një person me automatik kishte sulmuar një autobus me nxënës në Gllogjan. Të vdekur mbetën shoferi i autobusit e dy nxënës të moshës 17-vjeçare. Numër i madh i qytetarëve kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore. 

“Uroj që kurrë të mos ketë këso raste kaq makabre, kur fëmijët i pret te shtëpia e kthehen në arkivole. Apeloj që të mos ndalen deri në zbardhjen e rastit. Lus të gjithë ata që kanë informacione të bashkëpunojmë me organet e shtetit. U shprehi ngushëllime për familjen Mustafaj e Hamza, e po ashtu bashkëmoshatarëve të tyre”, ka thënë kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Më herët sot është varrosur shoferi i autobusit. 

Qeveria e Kosovës sot ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për ata që ofrojnë informata për kapjen e vrasësit. 

Këtë e ka përsëritur edhe kryeministri Albin Kurti. 

“Ne si Qeveri, unë si kryeministër, kemi ofruar edhe një shpërblim prej 20 mijë eurove kushdo që ka një informacion që na shpie te zbardhja apo zbulimi i këtij rasti. I ftojmë gjithë qytetarët që kanë çfarëdo të dhëne që të telefonojnë në numrat e telefonit 08001999 ose 192 dhe me këtë rast në mënyrë strikte ruhet konfidencialiteti i qytetarëve”, ka shtuar Kurti.