Arbëri

Infektologët në Kosovë i druhen përhapjes së furishme, apelojnë për vaksinim

Rajoni po përballet me raste të shumta me COVID-19.

400 raste brenda ditës janë regjistruar në Shqipëri gjatë ditës së djeshme, ashtu si edhe 9 të vdekur.

Mbi 72 të vdekur brenda javës ndërkaq ka pasur Maqedonia e Veriut.

E në Serbi, javën e kaluar kanë vdekur 369 persona nga koronavirusi e janë paraqitur 18 mijë raste të reja.

Edhe Mali i Zi, me numër shumë më të vogël të popullsisë, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit ka pasur mbi 250 raste e gjashtë të vdekur brenda një dite.

Infektologët vlerësojnë se përhapja më e furishme e COVID-19, si ka ndodhur në rajon e shtetet e Evropës Qendrore, në Kosovë është e pashmangshme, pa një përqindje më të lartë të vaksinimit.

Imunizimi e kujdesi i shtuar me mbajtje të maskave e higjienë, sipas Hamdi Ramadanit, paraqet mbrojtjen e vetme që e kanë qytetarët, vetëm 44.26 për qind e të cilëve janë të vaksinuar me dy doza sipas të dhënave të “Johns Hopkins”.

"Ky numër 43 ose 44 për qind nuk është i mjaftueshëm për ta kufizuar, për ta lokalizuar, për ta mirëmenaxhuar pandeminë COVID-19 sikurse në vendet që po ndodh në rajon, pra në Ballkan, në Evropë dhe në shtetet më të zhvilluara edhe në SHBA e vendet tjera. Kështu që është mirë, është e drejtë që vendi ynë të bëjë gjithçka që vaksinimi të rritet në një përqindje shumë të madhe që të arrihet mbi 70 për qind. Unë ju thash edhe Portugalia edhe Suedia edhe Danimarka ku ka pasur vaksinim Danimarka mbi 83 për qind ende tash e sa ditë është duke u përballur me variante të ndryshme të delta COVID-19, pra me pandeminë", ka deklaruar ai.

Në kryeqytet gjatë së shtunës ka vazhduar vaksinimi nëpër qendra tregtare. Shkurta Çitaku, udhëheqëse e ekipit mobil, ka thënë se ka interesim edhe nga shtetasit e huaj.

"Është duke funksionuar mirë dhe interesimi i qytetarëve në përgjithësi është i mirë. Vaksinimi këtu fillon nga grupmoshat 12 vjeçare, mirëpo normalisht gjithmonë me praninë e kujdestarit ose prindit ligjor i cili është, por prej se kemi filluar kanë ardhur edhe njerëz nga Shqipëria, po ashtu kemi edhe punëtorë, por edhe ata shtetas të huaj që punojnë në kampin e Bondsteel-i."

Sipas shifrave në faqen zyrtare të MSH-së, mbi 400 persona u imunizuan sot me dozën e parë të vaksinës në nivel vendi.

Në Kosovë gjatë së shtunës nuk ka pasur të vdekur nga COVID-19. Janë shënuar 9 raste të reja të infektimeve, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 334.