Arbëri

ORCA kërkon edhe masa të tjera ndaj asistentëve të dënuar për ryshfet

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore për dënimin e rrjetit të organizuar të asistentëve e studentëve të cilët akuzohen për marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe dhënie të ryshfetit, thotë kumtesa e kësaj organizate, transmeton Koha.net.

ORCA pret nga organet menxhuese të Universitetit të Prishtinës që të ushtrojnë të gjitha masat e mundura disiplinore, që nga përjashtimit i asistentëve, ndërprerja e studimeve të doktoratës e deri te marrja e diplomave të tyre dhe studentëve të përfshirë në këto afera.

“ORCA rikujton se në mbledhjen e 21 prillit të këtij viti Senati aktual në mënyrë unanime ka vendosur që ta rizgjedhë në pozitën e asistentit Esat Belajn, të dënuarin kryesor të këtij rasti. Në të njëjtën mbledhje Senati ka rizgjedhur po ashtu të dënuarin Gazmend Maliqaj, të dy këta asistentë të Fakultetit të Mjekësisë”, thuhet në kumtesë .

ORCA dëshiron të theksojë se 3 nga të dënuarit, Arian Janova, Esat Belaj, Mevludin Beqiri në periudha të ndryshme kanë qenë senatorë nga radhët e studentëve në Senatin e UP-së.