Arbëri

Petkoviq i reagon Gërvallës: Kurti është personi i vetëm që po destabilizon rajonin

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, që ka folur për destabilizimin e Ballkanit nga Rusia e Serbia.

Në Zagreb, Gërvalla tha se destabilizimi i Ballkanit nga Rusia e Serbia duhet të adresohet qartë nga BE-ja dhe NATO.

“Kërcënimi Vuçiq – Putin e bën luftën një rrezik të vërtetë për Ballkanin dhe Evropën, për herë të parë që nga vitet 1990-ta”, ka shkruar Gërvalla në Twitter, ku ka postuar një pjesë të fjalimit të saj të mbajtur në Zagreb.

E Petkoviq ka replikuar duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është personi që po e destabilizon rajonin.

“Donika Gërvalla personi i vetëm që po destabilizon rajonin është Albin Kurti duke avokuar për Shqipërinë e Madhe, refuzuar marrëveshjen e Brukselit, duke vendosur forca speciale të armatosura deri në dhëmbë kundër qytetarëve të paarmatosur në veri të Kosovës e Metohisë”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.