Arbëri

Dega e AAK-së në Junik kërkon nga Prokuroria të hetojë votat e diasporës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Junik, ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e votave nga diaspora për Junikun, për shkak të dyshimeve se shumica e këtyre votave janë shënuar nga një person, në të kundërtën qeverisja lokale e Junikut nuk mund të konsiderohet legjitime.

Në një postim në Facebook, AAK thotë se votat e dërguara nga diaspora janë shënuar nga një person i vetëm.

"AAK, dega në Junik, do ta ankimojë procesin e votimit që kanë ardhur përmes postës, pasi që siç është deklaruar edhe nga mediat, anëtarët e KQZ-së etj., dyshohet se shumica absolute e votave me postë, janë shënuar nga një person, ashtu sikurse e kemi dëshmuar ditë më parë përmes fotos, ku shihet vëllai i kandidatit të LDK-së Skënder Shehu, me një grumbull fletëvotimesh, si dhe fotot e mëposhtme të zarfeve të ardhura, ku shihet qartë se është e njëjta dorë, i njëjti drejtshkrim dhe i njëjti person që ka votuar në emër të qindra bashkatdhetarëve, e që është keqpërdorim, padyshim i vullnetit të qytetarëve!", thuhet në postim./KSP

AAK, Dega në Junik, thotë se kanë dyshime të bazuara dhe me argumente të fuqishme se ky votim nuk është real, i falsifikuar, si në raundin e parë, ashtu edhe në balotazh, andaj i bën thirrje prokurorisë dhe organeve të hetuesisë që të verifikojnë çdo votë të ardhur nga jashtë.

“Në të kundërtën, ky proces nuk mund të quhet legjitim dhe është i kompromentuar dhe qeverisja lokale e Junikut nuk mund të konsiderohet assesi legjitime", thuhet nga AAK në Junik.