Arbëri

DnV: Procesi i votimit filloi në kohë, nuk ka parregullsi

Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 90 vëzhgues nëpër qendra të votimit në 21 komuna ku po zhvillohet balotazhi.

Vëzhguesit e DnV-së gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit.

“Përkundër garës së fortë midis kandidatëve që janë në balotazh, të dhënat nga terreni, tregojnë që në afërsi të Qendrave të Votimit, në 98% të rasteve, nuk ka pasur vendosje të posterëve të subjekteve politike apo kandidatëve. Ashtu siç ishte raportuar edhe në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, rreth ¼-ta e Qendrave të Votimit vazhdojnë të jenë të paqasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Në rreth 90% të hyrjeve të qendrave të votimit, janë parë zyrtarë policorë për të garantuar sigurinë e procesit zgjedhor, ndërsa në raste të izoluara ata janë parë brenda hapësirave të qendrave të votimit, si rezultat i motit të ftohtë.

Sipas vëzhgueseve, 97% të Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID në fuqi janë vendosur në 93% të QV-ve ku po zhvillohet balotazhi.

Në anën tjetër, në mëngjes është raportuar se komisionarët janë të pajisur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) në mbi 92% të vendvotimeve, ndërsa pajisja me dorëza është në nivelin afër 46%. Vetëm në 3% të Qendrave të Votimit është raportuar se pajisjet mbrojtëse kundër COVID kanë munguar në tërësi.