Arbëri

DnV: Mungesë transparence për marrëveshjet e koalicioneve parazgjedhore

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, do të ketë të angazhuar 90 vëzhgues gjatë procesit të votimi të dielën në komunat, ku do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve.

Eugen Cakolli nga kjo organizatë ka bërë një vlerësim të ecurisë së deritanishme të fushatës për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Tha se gjatë fushatës zgjedhore u neglizhuan masat kundër COVID-19, derisa programet e kandidatëve kanë qenë të njëjtat që janë prezantuar në rundin e parë.

Ai tha se organizimi i tubimeve është bërë me numër shumëfish më të lartë të pjesëmarrësve se që është e lejuar, mosbartja e maskave dhe mungesa e distancës janë evidentuar në pothuajse të gjitha aktivitetet e organizuara.

DnV ka gjetur se dukuria e abuzimit me resurset publike gjatë fushatës ka qenë dukshëm më e pranishme në garën e balotazhit.

“Kjo është manifestuar përmes pjesëmarrjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar në tubime publike apo ecjeve nëpër sheshe, kryesisht gjatë orarit të punës. Njëkohësisht, përfshirja e ekzekutivit të nivelit qendror në garën lokale përmes ofrimit të mbështetjes për kandidatët e atij subjekti politik, duke ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ofrimin e ndihmës financiare nga Qeveria, ka ndikuar në parimin e garës së barabartë zgjedhore. Po ashtu, edhe një pjesë e deputetëve, nga pothuajse të gjitha partitë, kanë qenë aktivisht të përfshirë në aktivitetet e fushatës”.

DnV po ashtu ka theksuar se pavarësisht se u arritën koalicione, marrëveshjet për ato nuk janë bërë publike dhe për këtë ka thënë se paraqet mungesë transparence në raport me qytetarët.