Arbëri

Kurti si disa nga kryeministrat para tij - fushatë në orar të punës e me vetura të shtetit

Njëjtë si pararendësit e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fushatën zgjedhore po e vazhdon në orar të punës e me vetura të shtetit. Kurti, i cili vetë i kishte kritikuar ish-kryeministrat e zyrtarët shtetërorë për keqpërdorim të resurseve shtetërore, u arsyetua se përcjellja e tillë e tij është protokoll i shtetit, të cilin ai nuk mund ta ndryshojë

Pothuajse të gjithë kryeministrat e Kosovës dhe vartësit e tyre, me radhë i kanë shfrytëzuar resurset shtetërore për fushatë zgjedhore. Pjesëmarrja në fushatë gjatë orarit të punës e përcjellja me vetura zyrtare gjatë aktiviteteve zgjedhore është keqpërdorim për të cilin Lëvizja Vetëvendosje kishte shprehur kritika sa ishte në opozitë. Të tilla paraqitje ishin kritikuar edhe nga Albin Kurti, porse tash në pushtet ai po përsërit veprimet e ngjashme. Në mes të ditës e në kohën kur do të duhej të ishte duke u shërbyer agjendave të Qeverisë, kryeministri i Kosovës me veturë zyrtare e në përcjellje të mbrojtjes së afërt mbërriti të mërkurën në Podujevë për fushatë zgjedhore. Njësoj, po të mërkurën, u paraqit edhe në Prizren.

Për kompensimin e mundshëm të shpenzimeve shtetërore për fushatë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë përgjigjur nga Qeveria e Kosovës. Por, për to ka folur kryeministri Kurti në fushatë, i cili tha se keqpërdorimi i resurseve të shtetit nga Qeveria e tij me ato parapraket dallon në sasi.

“Nuk mund të them që ne jemi duke keqpërdorur as për së afërmi dhe as ngjashëm sikurse që është bërë me qeveritë të cilat ne i kemi kritikuar. Ekonomia po rritet, tatim-mbledhja është shtuar pikërisht për shkak që Qeveria nuk ka korrupsion. Ndërkaq me veturat me të cilat ne vijmë në fushatë, ta zëmë unë, janë protokolle të Qeverisë, për të cilat nuk vendosi vetë”, ka thënë Kurti.

Përveç kryeministrit, gjatë orarit të punës për të cilin paguhen, në fushatë janë përkushtuar edhe ministrat që sipas Erblin Hoxhës nga Lëvizja Fol është keqpërdorim tjetër i resurseve shtetërore. Hoxha tha se Ekzekutivi i ka intensifikuar tubimet elektorale në raundin e dytë të zgjedhjeve, duke lënë pas punët e shtetit për përfitime të një partie politike. Kjo, sipas tij, është shqetësuese, meqë këtë praktikë të krijuar tash e sa vjet nuk arriti ta sfidojë as Lëvizja Vetëvendosje, e cila vetë kishte dhënë kritika për të.

“Të mos harrojmë që një gjë e tillë është bërë qe 20 vjet, çdo parti e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë edhe kjo parti që është në pushtet. Kjo është një praktikë që askush nuk ka shkuar deri në atë pikë që ta sfidojë e që zyrtarët shtetërorë të mos i shfrytëzojnë resurset shtetërore për përfitime partiake. Mirëpo, fatkeqësisht nuk ka një procedurë ligjore apo nuk e di nëse qytetarët do të mund t’i padisin kryeministrin, ministrat, apo zëvendësministrat për fushatë gjatë orarit të punës”, ka thënë Hoxha.

Ai kërkoi që të ndalet keqpërdorimi i veturave të shtetit dhe kryeministri bashkë me ministrat e tij fushatën ta bëjnë pas orarit të punës.

“Gjatë orarit të punës një zyrtar publik e ka parësore punën në institucion, pagë me të cilën paguhet nga taksat e qytetarëve dhe nëse gjatë asaj kohe shkon në fushatë elektorale në ndonjë qytet, ajo bie komplet në kurriz të qytetarëve. Pra punët shtetërore nuk përfundohen dhe përparësi u jepet atyre partiake”, ka përfunduar ai.

Për çështjen e përdorimit të veturave xhip e për përcjelljen nga truprojat, Kurti kishte pasur qëndrime ekstreme ndaj ish oponentëve të tij politikë.

“Ata kanë xhipa, ne duam trotuare. Ju e keni pa se si politikanët kur zbresin te qytetarët, zbresin nga xhipat e blinduar e xhama të errësuar. Ai të sheh ty e ti s’e sheh atë, e nëse del prej xhipit atëherë të këqyrë mrrolshëm truproja e tij. E truproja e tij e di ma mirë se na, se qytetarët kanë shumë arsye me i ba diçka atij politikani, që ky po ja run veç trupin, se kejt çka ka me ja ru është trupi, se mendja i ka ik moti”, kishte deklaruar Kurti gjatë kohës që kishte qenë në opozitë.