Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria e “përkushtuar për mbështetjen e sektorit privat”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën informuese për zhvillimin e sektorit privat “Ditët e Biznesit tё Vogël 2017” që u zhvillua në Istog, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha net.

Në këtë konferencë, ku ishin të pranishëm ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, përfaqësues të ATK-së, të Doganave të Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e sektorit privat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë qëndrimit në Istog, kryeministri Mustafa vizitoi edhe kultivuesit e peshkut “Trofta” në Istog, si dhe biznesin prodhues “AGROPRODUKT shpk” në fshatin Sine të kësaj komune.

“Ne si Qeveri jemi përcaktuar që në këtë mandat, zhvillimit ekonomik dhe punësimit t’i japim prioritet kryesor. Kemi pasur premtime lidhur me shkallën e rritjes ekonomike të cilën ne e synojmë, e cila pastaj mundëson që ne të përballojmë fluksin e të papunëve, sidomos të të rinjve dhe grave ku kemi papunësi të madhe. Kemi vërejtur se janë bërë përparime të konsiderueshme, porse kërkohet edhe kohë që ne të kemi investime më të mëdha të cilat pastaj do të krijonin hapësirë për punësim më të madh, edhe për ndryshimin e bilancit tregtar me jashtë, sepse kemi një bilanc tregtar i cili është tepër i pavolitshëm për Kosovën për arsye se kemi importet shumë të mëdha dhe në krahasim me këtë pastaj kemi pjesëmarrjen e eksporteve të ultë. Ajo që ne e konsiderojmë si të arritur është se kemi arrit që të kemi stabilitet makroekonomik gjatë këtyre dy viteve, do të thotë kemi një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind ose pak mbi 4 për qind, edhe për vitin 2015 edhe për vitin 2016, që është më e madhja në regjion, por e cila neve nuk na e zgjidh problemin, sepse duhet të kemi së paku një rritje prej 6 ose 7 për qind në mënyrë që të fillojmë ta zgjidhim problemin e papunësisë” tha Mustafa.

AI tha se nuk mjafton të lëvdohemi me qasjen në një treg që ka mbi 500 milionë banorë, siç është tregu i Bashkimit Evropian, por duhet të punohet edhe në konkurrueshmërinë e kompanive për t’u përgjigjur kërkesave të këtij tregu.

Çmimet dhe mirënjohjet e marra së fundi nga institucionet e rëndësishme botërore, kryeministri Mustafa tha se janë faktorë nxitës për punë të mëtutjeshme, duke përmendur edhe punët tjera që janë bërë në fushën e energjetikës, turizmit, dhe në zbatimin e Ligjit për Investime Strategjike.

Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, falënderoi kryeministrin Mustafa për mbështetjen e vazhdueshme.

Mbështetjen e komunitetit të biznesit e theksoi edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, që potencoi se do të vazhdohet me dialogun për të parë ku janë sfidat që duhet të adresohen.

“Kemi punuar në harmonizimin e legjislacionit dhe ndryshimin e disa ligjeve, në nxjerrjen e disa ligjeve të reja, në mënyrë që të jemi më afër bizneseve, siç është Ligji për Investime Strategjike, i cili na mundëson që të negociojmë drejtpërdrejtë me investitorët strategjik.

Jemi këtu që t’ju inkurajojmë që të behni pjesë aktive e projekteve të mëdha kapitale dhe shfrytëzimit të resurseve që ka vendi ynë” tha Bajrami.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, prezantoi pakon e re fiskale dhe tregoi të arriturat në fiskalizimin e bizneseve.