Arbëri

“Politico”: Bideni s’e fton Kosovën në Samitin për Demokraci

Mediumi amerikan “Politico” ka publikuar listën e 100 shteteve pjesëmarrëse në Samitin e sivjetmë për Demokraci që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në listë nuk figuron Kosova.

Presidenti amerikan Joe Biden do të jetë nikoqir i këtij Samiti virtual më 9 dhe 10 dhjetor. Pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Agjenda e këtij Samiti është ende konfidenciale, pasi ekipi i Bidenit është duke punuar për të formësuar atë. Lista zyrtare ende nuk është bërë e ditur, por mediumi “Politico” ka siguruar listën përmes burimeve të saja.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë paraqitur një listë të zotimeve të mundshme që vendet e tjera mund të bëjnë, të tilla si rritja e fondeve për programet e edukimit mediatik ose vendosja e kontrolleve të eksportit për disa teknologji me përdorim të dyfishtë, sipas “Politicos”. Megjithatë, këto zotime mund të mos jenë të detyrueshme ndërkombëtarisht për t’u zbatuar.

Në këtë listë , përveç Kosovës, nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnja & Hercegovina nga rajoni. Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë ftesë.

Ditë më parë u raportua se kryeministri Albin Kurti nuk është i pajisur me vizë amerikane, një lajm që u demantua nga Qeveria. Kjo e fundit madje kishte thënë se Kurti do ta vizitonte SHBA-në shumë shpejt, duke mos dhënë më shumë detaje. 

KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë për ta konfirmuar nëse Kosova nuk është ftuar në këtë Samit, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Lista e plotë e vendeve pjesëmarrëse, sipas "Politico"