Arbëri

Situata epidemiologjike në Kosovë është jostabile, mund të përkeqësohet

Situata epidemiologjike në Kosovë është jostabile, pasi shkalla e infeksionit me koronavirus në rajon është e lartë, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani.

Në situatën jostabile, sipas tij, kontribuon edhe fakti se varianti Delta i koronavirusit, i cili është më ngjitës, është dominues në Kosovë.

Kosova, javëve të fundit, ka parë rënie të numrit të të infektuarve dhe viktimave.

Në 10 ditët të fundit janë shënuar 163 raste te reja pozitive dhe tri vdekje nga koronavirusi.

Aktualisht, raste aktive në Kosovë janë rreth 440.

Situata në rajon është ndryshe. Më 4 nëntor, në Serbi janë shënuar mbi 6,000 raste të reja pozitive dhe 64 viktima, në Bosnje mbi 1,000 raste dhe 32 viktima, në Maqedoni të Veriut 550 raste dhe 16 viktima, në Mal të Zi mbi 700 raste dhe 6 viktima.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, thotë se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet, në rast të rritjes së numrit të rasteve të reja.

Ai paralajmëron se një gjë e tillë do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësorë.

"Andaj, IKSHPK-ja apelon te të gjithë qytetarët për respektimin e të gjitha masave, sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës", thotë ai.

Masat që janë aktualisht në fuqi, përfshijnë mbajtjen e maskës në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe dëshminë e vaksinimit apo të testit negativ për hyrje në qendra tregtare, restorante, bare dhe vende të tjera publike.

“Rekomandojmë institucionet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Apeli i IKSHPK-së konsiston në domosdoshmërinë e kujdesit të shtuar të të gjithëve, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëjnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit", thotë Ramadani.

Ai thekson se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar koronavirusin, veçanërisht format e rënda të sëmundjes që e shkakton ai dhe vdekjet.

"Ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin", thotë Ramadani.

Në Kosovë, deri të enjten (4 nëntor) janë dhënë mbi 1.5 milion vaksina kundër koronavirusit, ndërsa mbi 735,000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht, apo 41 për qind e popullatës së përgjithshme.

Qytetarët e Kosovës, nga data 5 nëntor, mund të vaksinohen kundër koronavirusit pa caktuar termin paraprakisht.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të enjten se “qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim”.

Respektimi i masave kundër pandemisë dhe vaksinimi janë elementet kryesore, të cilat mund të parandalojnë përhapjen dhe rritjen e numrit të rasteve me koronavirus, thonë profesionistët shëndetësorë: Teuta Fejza, epidemiologe; Arben Vishaj, internist, dhe Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe.

Epidemiologia Fejza, drejtoreshë e Institutit të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata me pandeminë është jostabile dhe ajo mund të ndryshojë.

"Ne nuk e dimë se çka na pret, nuk mund të parashikojmë, por pritet edhe ndonjë valë e re e infektimeve", thotë ajo.

Fejza konsideron se qytetarët, në përgjithësi, duhet të kenë kujdes dhe, sipas saj, të gjitha rregullat e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen.

"Vaksinimi duhet të vazhdojë pa ndërprerje dhe sa më shumë të vaksinohen, në mënyrë që vala e infektimeve të jetë sa më e vogël", shprehet Fejza.

Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk po kontrollohen nëse janë të vaksinuar ose jo kundër koronavirusit.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se për çfarëdo situate të mundshme, klinika do të jetë gati.

Ai pohon se janë duke u përgatitur për situata të vështira epidemiologjike që mund të paraqiten.

"Edhe Kosova, si edhe vendet e tjera, nuk mund të jetë imune ndaj kësaj pandemie dhe mundësia e përhapjes së infeksionit në Kosovë ekziston. Ne, gjithmonë, si klinikë jemi duke bërë gjithçka që është e mundshme që situatën, e cila eventualisht pritet të vijë, ta përballojmë në mënyrë sa më të dëshirueshme që është e mundur", thotë Vishaj.

Në Klinikën Infektive të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, më 3 nëntor, kanë qenë të hospitalizuar shtatë pacientë - dy në kujdes intensiv.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka miratuar vendimin edhe për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12 deri në 15 vjeç.

Epidemiologia Fejza thotë se në bazë të rekomandimeve, edhe grup-moshat e reja duhet të vaksinohen.

"Duhet të ketë më shumë informim që qytetarët të vendosin për vaksinimin e grup-moshave më të reja ashtu siç kanë vendosur institucionet", thotë ajo.

Gjyle Mulliqi-Osmani, profesoreshë e pensionuar e lëndës mikrobiologji mjekësore, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendi ku mund të ketë rritje të rasteve, mund të jenë shkollat. Ajo rekomandon që aty të bëhen teste të shpejta.

"Mendoj që në shkolla ndoshta të aplikohet testimi i shpejtë apo vetëtestimi nga ana e prindërve për nxënësin, së paku një herë në javë, në mënyrë që t'i ikim asaj shfaqjes së menjëhershme dhe të vrullshme të numrit të lartë të njerëzve të infektuar", thotë Osmani. /REL