Arbëri

Hoti: Dialogu ka degraduar

Descriptive Text

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, Avdullah Hoti, ka thënë se i vjen keq ta shohë se si ka degraduar procesi i dialogut, nga takimet e niveleve të larta, në tani, takimet në nivele teknike.

Deputeti i LDK-së tutje shtoi se si opozitë  do ta përkrahin vetëm dialogun transparent dhe që çon në njohje nga Serbia.

“Dëshiroj t’i falënderoj Parlamentin Evropian dhe institucionet e tjera të BE-së që mbështesin rrugën eurointegruese të Kosovës, të shprehur zyrtarisht nga marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Kjo është marrëveshja më e rëndësishme dhe është hapi më i madh konkret i rrugës së Kosovës drejt BE-së. Atëherë kur është votuar në vitin 2016, nuk është votuar nga partia në pushtet. Po e them këtë fakt si fakt pozitiv të avancimit të qëndrimit të tash shumicës parlamentare në kuadër të këtij procesi. Fqinjësia e mirë është pozitive për paqe në Ballkanin Perëndimor. Kusht për këtë është njohja e realitetit nga të gjitha vendet. Dialogu nuk ka alternativë, për këtë pajtohemi të gjithë, përveç Serbisë. Dialogun e kthyem në binarë në vitin 2020. Sot i kërkoj BE-së dhe eurodeputetëve që dialogu të mbahet në ato binarë dhe të mos devijojë sepse do na kushtojë me shtyrje të procesit të integrimit evropian të të gjithë rajonit. Nëse devijon ky dialog në çështje teknike, detyrimisht një qeveri tjetër në Kosovë duhet të kthehet në kornizat e vitit 2020. Nuk them se çështjet teknike nuk janë të rëndësishme, si marrëveshja për targat, njohja e diplomatave por diçka duhet të dimë se problemet me Serbinë derivojnë vetëm për shkak të mosnjohjes. Këtë po e them edhe si ish-kryeministër. Si opozitë e përkrahim vetëm dialogun me njohje. Më vjen keq ta shoh që dialogu ka degraduar. Një proces që ka degraduar nga takimet e niveleve të larta në takime për çështje teknike. Takimi për targat është i rëndësishëm, por nuk trajton problemin kryesor. Përshembull takimi në Shtëpinë e Bardhë, ne morëm një njohje të rëndësishme dhe investime të rëndësishme infrastrukturore e gjeostrategjike”, deklaroi Hoti në mbledhjen që po e mban ky Komision.

E deputeti i partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, deklaroi se Serbia e ka keqpërdorur dialogun për të bërë propagandë.

“Çdo hap që bëhet më tutje drejt integrimit evropian, është një hap i rëndësishëm për Republikën tonë. Dialogu ka qenë proces për të zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë. Më shumë se 10 vite më vonë, Serbia e ka keqpërdorur dialogun, pasi jo vetëm ka minuar mendimet e Gjykatës, por edhe e ka vonuar njohjen dhe është angazhuar fuqishëm për të propaganduar rreth Kosovës, që nuk është një vend i duhur për të investuar”, u shpreh Abazi.