Arbëri

BE-ja demanton Qeverinë e Presidencën për vetingun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas publikimit të Raportit të Progresit, i cila ka kritikuar Kosovën për vetingun, kanë thënë se Bashkimi Evropian tashmë u ka dhënë përkrahje për këtë proces. Por qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar. Përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN ky institucion ka thënë se është ende në dialog me Qeverinë për këtë çështje

Nisma për verifikimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nxjerrë në pah mospajtimet mes institucioneve qeverisëse të Kosovës dhe Bashkimit Evropian për kredibilitetin e tij, ani që drejtuesit e shtetit kanë deklaruar publikisht se për këtë proces kanë mbështetjen e Brukselit.

Një ditë pas publikimit të Raportit të Progresit, në të cilin kritikohet Kosova për idenë e vetingut të njëhershëm, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një komunikate për media pati bërë të ditur se tashmë e ka marrë mbështetjen për këtë proces nga drejtori i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Marko Makovec.

“Presidentja Osmani takon zyrtarin e BE-së, z. Marko Makovec, jepet mbështetje për vetingun”, thuhej në komunikatën e Presidencës, e cila është në dispozicion në faqen e këtij institucioni.

E javën e kaluar ishte edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, që tha se e kanë garantuar mbështetjen e BE-së. Ngjashëm ajo është deklaruar edhe në emisionin DESKU të KTV-së.

“Kemi argumentuar nevojën për të pasur veting. Është kërkesë shoqërore. Mandati im s’është të bind ambasadorët pse diçka është e drejtë. Nëse ne konsiderojmë si shoqëri që ka nevojë për veting, duhet të veprojmë në përputhje me zotimet që kemi dhënë para qytetarëve. Ajo që është në Raport s’qëndron. Na është kërkuar madje t’i bëhet veting edhe Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.

Por qëndrimi i BE-së, prej ditës kur në Raportin e Progresit e kanë paraqitur si “shqetësim serioz” procesin e vetingut, nuk ka ndërruar.

KOHA të mërkurën i ka dërguar pyetje këtij institucioni pikërisht për këto deklarata të politikanëve kosovarë, të cilët kanë folur për gjoja mbështetjen e BE-së. Në përgjigje ky institucion ka përsëritur se Raporti i Progresit e ka vënë në dukje vetingun si shqetësim, duke mos përmendur ndryshimin e qëndrimit ndaj tij.

“Raporti i Kosovës vë në dukje me shqetësim serioz paraqitjen e mundshme të një rivlerësimi të plotë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kosovë. Një proces i tillë verifikimi duhet të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e fundit; që do të thotë se duhet të merret parasysh vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin e titullarëve të funksioneve gjyqësore dhe për të luftuar korrupsionin. Çdo proces verifikimi duhet të jetë gjithashtu në përputhje me standardet evropiane dhe për këtë arsye Komisioni i Venecias duhet ta vlerësojë atë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky Komision është një organ këshillimor dhe ekspert i Këshillit të Evropës në fushën e të drejtës kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Në BE kanë folur edhe për komentet e fundit në lidhje me qëndrimet e saj, por që nuk janë bërë nga BE-ja. Kanë përjashtuar se ka ndonjë marrëveshje për këtë çështje tashmë me faktin se kanë thënë që dialogu për veting me Qeverinë është duke vazhduar.

“Kohët e fundit kemi dëgjuar shumë komente për procesin, edhe në lidhje me qëndrimin e BE-së për këtë. BE-ja gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për të siguruar që populli i Kosovës të marrë drejtësi të duhur, efikase dhe të paanshme. Mjetet për ta arritur atë janë po aq të rëndësishme sa edhe objektivi përfundimtar, kjo është pikërisht arsyeja që për BE-në një verifikim i plotë mbetet vërtet një masë e jashtëzakonshme. Është gjithashtu e rëndësishme që të shmangen pengesat në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ne do të vazhdojmë dialogun tonë me Qeverinë për këtë çështje”, thuhet në përgjigjën e Zyrës se BE-së, dhënë KOHËS.

Për këtë proces të mërkurën është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e vetingut. Në të nuk morën pjesë as përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor e as ata të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Të dy institucionet tashmë publikisht kanë dalë kundër skenarit të vetingut, në mënyrën siç planifikon ta bëjë Qeveria e Kosovës.

Në takimin, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, një pjesë e pjesëmarrësve ishin përfaqësues të shoqërisë civile. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja.

Kurti në adresimin e tij trajtoi mungesën e rezultateve dhe drejtësinë selektive, e përgjigje për këtë konsideroi që është vetingu.

“Përgjigjen ndaj defekteve dhe dështimeve të tilla për drejtësi është vetingu. Vetingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të performancës dhe të profesionalizmit të tyre, si dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ka thënë Kurti.

Ndonëse në takim ishte paraparë diskutimi me grupin punues, mediat patën qasje vetëm në deklaratën e kryeministrit dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja Haxhiu foli për rëndësinë e konsensusit nga të gjitha palët për këtë proces.

“Për fat të keq gjendja në të cilën gjendet sot gjyqësori e prokuroria në vendin tonë shkaktohet si pasojë e pavarësisë së pamjaftueshme të ndikimit nga jashtë dhe mungesës së llogaridhënies e transparencës. Prandaj për reformën në drejtësi kanë vendosur qytetarët dhe vetingu është çelësi për të garantuar sukses afatgjatë në këtë nismë”, ka thënë Haxhiu.

Në takim pjesëmarrës ishin përfaqësuesit e BE-së, institucion ky që nuk e ka përkrahur vetingun duke e konsideruar si hap të fundit që duhet të ndërmerret, meqë Kosova, sipas saj, ka mekanizma të tjerë me të cilat mund të përmirësohet sistemi i drejtësisë.