Arbëri

Magjistralja e premtimeve

Në një periudhë të shkurtër kohore punimet që po bëhen në fshatin Penuhë në magjistralen Prishtinë-Podujevë janë vizituar nga dy zyrtarë të lartë të Ekzekutivit.

Në përfundim të fushatës zgjedhore për raundin e parë aty shkoi zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e premtoi se projekti do të përfundojë shumë shpejt.

“Nuk po shfrytëzohet kjo për kohë fushate, por raporti i komisionit ka përfunduar javën e kaluar dhe është e rëndësishme të prezantohet përfundimi i projektit që në bazë të dinamikës dinamikës që janë zhvillu punimet të mos përfundojnë edhe dy vite”, pati deklaruar ai.

E mbrëmjen e së hënës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku më kandidatin e VV-së për Komunën e Podujevës mbajtën një konferencë për media në të njëjtin vend.

Bulliqi e Kurti mohuan se projektet e tilla po shfrytëzohen për fushatë.

“Ne jemi në kohën kur po i afrohemi fundit të vitit dhe sa më afër të jemi fundit të vitit, pavarësisht se çfarë është agjenda shtetërore dhe politike, ne do vijmë më shpesh këtu, sepse duam që ta përfundojmë sa më shpejtë”, ka thënë Kurti.

Bulliqi, që është edhe kryetar aktual i Podujevës, e i cili është në garë në balotazh me kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni, ka thënë se projekti për këtë magjistrale është i përgjysmuar.

“Fatkeqësisht fillimi i këtij projekti ishte fillim jo i mirë, i paplanifikuar mirë dhe një projekt gjysmak që nuk i ka plotësuar kushtet dhe si pasojë e kësaj kemi edhe zhagitje”, ka pohuar Bulliqi.

Derisa zv.ministri i Infrastrukturës pati thënë se punimet aty do të përfundojnë në muajin nëntor, kryeministri Kurti u zotua se punimet do të kryhen vitin e ardhshëm.

Ndërsa akuzoi pushtetet e kaluara për neglizhencë të punëve.

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje, kur ishte në opozitë kritikonte se veturat zyrtare po shfrytëzohen edhe për fushatë e jashtë orarit, Kurti me veturë zyrtare shkoi në Podujevë, për të vazhduar agjendën e tij në kuadër të parafushatës paraelektorale.

Punimet në zgjerimin e magjistrales Prishtinë - Podujevë kanë filluar në vitin 2016, por që disa herë projekti është ndryshuar.