Arbëri

Supremja pa sqarim pse s’ka vendim edhe për Selimin e Demakun

Gjykata Supreme e Kosovës nuk ka sqaruar pse nuk ka nxjerrë vendim edhe për dy të akuzuarit tjerë në rastin Drenica, Sylejman Selimi e Jahir Demaku, raporton KTV.

KohaVisioni e ka siguruar vendimin e trupit gjykues të udhëhequr e përbërë nga gjyqtarë shumicë të EULEX-it dhe ai është vetëm për Lushtakun.

Aty thuhet se është aprovuar ankesa e mbrojtësit të Lushtakut dhe ai lirohet menjëherë nga pika 9 e aktakuzës.

“Aktgjykimi i Gjykatës Supreme me arsyetimin e detajuar sa i përket lirimit të të pandehurit, nxirret dhe i dorëzohet me kohë të pandehurit dhe mbrojtësit”, thuhet në këtë aktvendim. EULEX-i nuk është përgjigjur që nga e hëna në pyetjet e KTV-së për veçimin që e ka bërë në këtë rast.

Në seancën e qershorit, pjesë e ankesës kanë qenë edhe mbrojtësit e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe Jahir Demakut.

Gjykata Supreme e ka liruar Sami Lushtakun nga akuza për krime lufte dhe ndaj këtij vendimi Prokuroria nuk ka të drejtë ankese.

Megjithatë, Lushtaku ka edhe një aktakuzë tjetër pikërisht për këtë rast, kur kishte ikur nga QKUK-ja dhe ishte zhdukur për disa ditë, ani pse në duar të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ai ende ballafaqohet edhe me akuzën për shtytje të kryerjes së veprës penale në rastin e tenderit 7 milionësh për sigurimin fizik të objektit të KEK-ut.