Arbëri

Anulohen zgjedhjet në Han të Elezit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që të anulojë zgjedhjet në komunën e Hanit të Elezit, ku për rrjedhojë do të ketë rivotim.

PZAP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kryetarit të kësaj komune, Rufki Suma, i cili ka thënë se simpatizantët e PDK-së kanë bërë presion mbi qytetarët e Hanit të Elezit që të votojnë këtë subjekt politik.

"Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, në Han të Elezit iu dha fund qeverisjes 14-vjeçare të kandidatit të pavarur, Rufki Suma, duke u mposhtur nga kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi. 

Ballazhi i PDK-së doli fitues me 50.98 për qind të votave të përgjithshme, ndërsa Suma i dyti me 42.47 për qind të votave.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë se duhet të priten të gjitha afatet ligjore për të organizuar zgjedhjet përsëri në këtë komunë. Deri nesër palët kanë kohë për t’u ankuar në Gjykatë Supreme, e cila për 72 orë duhet të kthejë përgjigjen definitive.


Suma: Shpresoj që në rivotim të mos ketë presione dhe ndikim te votuesit

Kandidati i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka thënë se gjatë rivotimit shpreson të mos ketë presione mbi votuesit ashtu siç ndodhi më 17 tetor.

“Është vendim i popullatës se a fitojë apo jo tash në rivotim. Unë vetëm shpresoj që të mos ketë presione dhe ndikim te votuesit”, ka thënë Suma për KOHËN.

Suma tutje deklaroi se kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi, vizitoi të gjitha vendvotimet e Hanit të Elezit gjatë ditës së zgjedhjeve kinse në cilësinë e shefit të shtabit zgjedhor. Kryetari aktual i kësaj komune potencoi se një gjë e tillë nuk lejohet sipas ligjit. 

“Ai vizitoi të gjitha vendvotimet kinse në cilësinë e shefit të shtabit zgjedhor. Sipas ligjit, nuk lejohet që një kandidat për kryetar apo për asamble të vizitojë vendvotimet e tjera, përveç aty ku duhet të votojë vetë”, shtoi tutje Suma.

KOHA provoi të kontaktojë edhe me kandidatin e PDK-së në këtë komunë, Mehmet Ballazhin, por i njëjti ishte i paqasshëm.


PDK-ja do të ankohet kundër anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të ankohet në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulim të zgjedhjeve për kryetar të Hanit të Elezit.

Pas vendimit, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, e ka cilësuar të jashtëligjshëm vendimin e fundit të PZAP-së.

“Sot PZAP-i ka marr një vendim, me të cilin janë anuluar votimet për shkak se ata pretendojnë se ka pasur keqpërdorime. Si PDK jemi të çuditur me këtë qasje të paargumentuar. Mendojmë se nuk ka pasur fakte për të ardhur deri te një vendim i tillë në Komunën e Hanit të Elezit. Në këtë komunë zgjedhjet kanë qenë shumë të mira dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga vëzhguesit ndërkombëtarë, as nga OJQ-të. E vë në dyshim dhe anashkalon vullnetin e qytetarëve dhe ky është thelbi i problemi sepse kemi të bëjmë me mos respektimin e vullnetit të qytetarëve. Ajo çfarë dua të shtoj se edhe kur e ka bërë këtë, në mënyrë të padrejtë PZAP-i e ka bërë pas afatit dhe është e paligjshme dhe duhet të refuzohet. Si PDK për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Hanit të Elezit ne do të ankohemi në Gjykatën Supreme”, ka thënë Abdullahu, raporton Ekonomia Online.